
TIRANË- Një një takim me sipërmarrjen mbi nismën e re të qeverisë për një rishikim tërësor të procedurave administrative të biznesit dhe shkurtim të hallkave burokratike, kryeministri Edi Rama është përballur me shqetësimet e shoqatës së ndërtuesve, që i kërkuan të parit të qeverisë heqjen e detyrimit 3% për të pastrehët, si dhe heqjen e taksave të rritura lokale si pasojë e rritjes së çmimit të referencës.
Sipas ndërtuesve, përfaqësuar nga Erjon Harizi, rritja e çmimeve të referencës në mes të vitit fiskal, e bën të pamundur që ata të realizojnë planin e biznesit, pasi çmimet e taksave për pushtetin lokal që do të duhet të paguajnë tashmë pothuajse janë dyfishuar. Nëse më herët taksa që i paguhej bashksië për metër katror ishte rreth 150 euro për metër katror, tashmë ajo është rritur nga 100 deri në 150 euro, në varësi të zonës ku është duke u zhvilluar ndërtimi.
Por megjithë pretendimet e shoqatës së biznesit, Rama tha se detyrimi 3% për të pastrehët duhet të rishikuar, dhe ndërtuesit nuk duhet t’ia japin atë Bashkisë së Tiranës vetëm në zonat periferike. Duke marrë si shembull Nju Jorkun, Rama tha se ndërtuesit atje detyrohen që të mos shesin të gjithë sipërfaqen e ndërtimit, dhe një pjesë duhet ta lënë me qera me çmime që përcaktohen nga vetë shteti.
Sipas kryeministrit, bizneset kanë kryer evasion fiskal me çmimet e apartamenteve, dhe nuk mund ti kërkojnë llogari shtetit që kërkon ti japë fund këtij fenomeni. Nëse bizneset nuk kanë likujditet për të ndërtuar tha Rama, ata mund ta shtyjnë lejen për vitin e ardhshëm, ndërsa e cilësoi ndërtimin një prej sipërmarrjeve më fitimprurëse.
Erjon Harizi, Shoqata e Ndërtuesve: Ne si shoqatë ju kemi dërguar një letër ju në lidhje me disa problematika që na e kanë bërë të pamundur aktivitetin, ku kryesorja është VKM që ka të bëjë me rritjen e çmimit të referencës në masën 40%. Pasojat që kjo na jep në të gjithë zinxhirin e taksave lokale, e ka rritur koston e ndërtimit me 40%, i kemi thënë ministres që nuk duhet të ishin bërë ndërhyrjet në mes të vitit fiscal. Deri në 2022 ndërtuesit në Tiranë kanë paguar 100 milionë euro për të pastrehët, ne mendojnë se taksa e 3% duhet të shfuqizohet. Ne kërkojmë dhe një zgjidhje për taksën e dheut, sigurimit të detyrueshëm të apartamenteve, nuk është detyra jonë që ta sigurojmë për 10 vite… E kemi të pamundur që të çojmë deri në fund planin e biznesit.
Edi Rama: Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti do tju thoshte që të mos deklaronit shitje shumë nën faktin, Ju kishit bërë një plan biznesi që do të gënjenit shtetin pa mbarim, në plan biznesi e keni ju edhe evazionin? Do të vij dhe te 3%, fike mikrofonin. Nuk kishit parashikuar ju që shteti do vinte një moment dhe do ju thoshte stop? Ju mirë bëni që ndërtoni, por paralelisht edhe bashkitë duhet të rindërtojnë gjithë hapësirat rreth e rrotull, e kështu me radhë. Që ju të shisni apartmanete me 1 mijë, 2 mijë 3 mijë euro, deri në 7 mijë euro, dhe ti deklaroni më pak, kjo nuk mund të lejohet më.
Nuk është e vështirë që të marrësh vesh se sa shitet një metër katror në Bllok apo në Astir, ju është vënë ju detyrimi që t'i përgjigjeni shtetit në bazë të fitimeve reale. Sa doni të fitoni ju? Është detyra e shtetit që të mbledhë detyrimet, mos ta dëgjoj më këtë historinë e vendosjes në një nivel të arsyeshëm të asaj që shteti kërkon, kur shkon dhe deklaron shitjet. Është bërë një kohë e gjatë që është qëndruar në çmimet e vjetra, ndërkohë që çmimet janë duke u rritur çdo javë, është një rritje nga e cila duhet të fitojnë të gjithë. E dyta të duket shumë kontribut 3% për strehim social?
Po të marr shembull Nju Jorkun, ku shteti të thotë t'i do të shesësh kaq apartamente dhe të tjerat do ti japësh me qera, dhe të cakton edhe çmimin që do ta japësh me qera. Kjo bëhet për të ndarë hapësirën e përbashkët. Kështu që… Dhe e fundit askush nuk iu detyron që të ndërtoni me zor, ju ndërtoni sepse fitoni shumë, mos hajdeni këtu që të bëni si shtresë në nevojë, ne flasim për procedura, dhe ju thoni ju kemi çuar letër, ku thoni pse shteti na kap në mes të vitit duke gënjyer.
Vjen një moment që shtyhet më tutje kufiri, dhe harmonizojmë interesat më mirë, edhe me këto referenca ju fitoni mirë, se ne kemi një ministri financash që merret me këtë punë. Ju atë 3% duhet ta jepni aty ku ndërtoni, e kam bërë këtë diskutim dhe me Bashkinë e Tiranës. Që ju ndërtoni në qendër të Tiranës, dhe 3% e jepni në zonat periferike, unë thashë se ju do na thonit pse nuk na e merrni 3% te Blloku. Ne nuk jemi këtu sot për taksat por për procedurat.
Harizi: Ne duhet të gjejmë 1 milionë euro për një javë me rritjen e taksave, pse të pastrehët duhet të jenë vetëm përgjegjësi e ndërtuesve, duhet të jenë dhe e aktiviteteve të tjera.
Rama: Duhet ti themi aktiviteteve të kujt ne? Të japin këta që merren me turizëm, të japin një kat të hotelit për të pastrehët. Përgatituni për vitin tjetër
Harizi: Digjet leja
Rama: Po mirë merrni leje të re për vitin tjetër. Juve nuk mund të thoni që mos na e fusni në mes, kur nuk keni nisur nga puna.
Të gjithë ndërtuesit që operojnë në Tiranë, 3% të sipërfaqes së lejeve të tyre duhet ta japin për strehimin social. Në të shumtën e rasteve, zonat ku jepen pallate që merren në shfrytëzim nga bashkia janë ato periferike, dhe jo ato preferenciale ku shumë prej ndërtuesve operojnë. Nga ana tjetër rritja e çmimit të Referencës u bë me një VKM në Korrik të këtij viti, dhe pritet të rrisë kostot për lejet e ndërtimit, gjë që sipas biznesmenëve do të sillte falimentimin, ndërsa për Ramën jo! Thjesht do të ndante fitimin e tyre dhe me shtetin, që më pas do të bëjë rishpërndarjen e të ardhurave, edhe përmes investimeve në infrastrukturë.
.........
Në fjalën e tij në takimin e sotëm, Rama theksoi se me këtë takim hapet një proces diskutimi dhe ndërveprimi me sipërmarrjen për të identifikuar bashkërisht të gjitha ato hallka burokratike dhe ato ngarkesa anë procedurat administrative që mund të eliminohen.
“Kjo synon ta përmirësojë bashkërisht më tej klimën e biznesit. Besoj se ju të gjithë e keni parë se para pak ditës Shqipëria mori një vlerësim të ri të perspektivës nga agjencia prestigjioze Standard & Poor’s që bën vlerësimin e të gjitha vendeve dhe përcakton nivelin e tyre në aspektin e ecurisë edhe të perspektivës ekonomike”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se për herë të parë Shqipëria ka kaluar nga perspektivë e qëndrueshme në perspektivë pozitive.
“Ky është një sinjal shumë kuptimplotë, shumë domethënës për çfarë kemi bërë deri më sot dhe inkurajues për çfarë mund të bëjmë më tutje”, tha ai.
Rama tha se për dhënien e prokurimeve publike do të ketë shumë më tepër komponentë teknologjikë dhe më pak njerëzor me qëllim që të jenë sa më sa më transparente dhe të drejta në të gjitha nivelet.
“Një kompani SHA do të bëjë gjithë procesin e blerjeve të përqendruara çka deri më sot e bërë agjencia e blerjeve të përqendruar në MB, kjo do të jetë një shoqëri publike që do të krijojë shumë më tepër akses. Në interes publik dhe të gjithë operatorëve”, tha Rama. /Zëri.ai