
IZRAEL-Kryeministri Edi Rama është vlerësuar me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog. Ky çmim akordohet për personalitete të rëndësishme botëror në politikë. Presidenti izraelit Isaac Herzog në fjalën e tij vlerësoi kontributin e Shqipërisë dhe të kryeministrit Edi Rama. Ai tha se kjo medalje e nderit nderon personat që kanë ndriçuar botën dhe që kanë dëshmuar miqësinë me popullin hebre dhe shtetin e Izraelit.
Isaac Herzog: Është një nder kaq i madh t’iu uroj mirëseardhje në rezidencën presidenciale dhe t’iu jap ju zoti kryeministër medaljen presidenciale të Nderit të Izraelit, i nderon ata si ju që kanë ndriçuar botën me udhëheqjen e tyre të jashtëzakonshme, qartësinë morale, me vlera demorkatike dhe ata që kanë dëshmuar miqësinë e tyre me popullin hebre dhe shtetin e Izraelit. Kodi shqiptar i besës, ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Gjatë holokaustit, populli shqiptar ishte simbol nderi, i dhanë krah hebrenjve, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit. Unë personalisht, u mallëngjeva gjatë vizitës sime në Tiranë.
Rama u shpreh se akordimi i medaljes është një suprizë, duke theksuar se “ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marrë në emër të Shqipërisë”.
Edi Rama: E kam vështirë të gjej fjalët, duke u përballur me një surprizë të tillë, nuk kam një fjalë këtu me vete, por disa pika diskutimi. Do të përpiqem të them disa fjalë zemre, duke e filluar me një mendim të sinqertë. Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, popullit shqiptar, në emër të gjithë shqiptarëve myslimanë e krishterë që vendosën jetën në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë modern dhe e kthyen vendin tim, në të vetmin vend në Evropë e ë mbylli Luftën e dytë Botërore me më shumë hebrenj se sa në fillim të saj”.