
TIRANË- Sekretari i përgjithshëm të Partisë Demokratike (të vulës) dhe bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj ka reaguar sërish sot në lidhur me negociatat e djeshme të zhvilluara mes Partisë Demokratike dhe asaj socialiste. Në një reagim të bërë në rrjetet e tij sociale, Alibeaj i ka kthyer përgjigje edhe kryeministrit Edi Rama. Në reagimin e tij, demokrati shkruan se e gjitha është e qartë, të dy palët nuk duan që ta ndryshojnë Reformën Zgjedhore.
REAGIMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE DHE BASHKËKRYETARI I KOMISIONIT TË POSAÇËM TË REFORMËS ZGJEDHORE, ENKELEJD ALIBEAJ
Vetëm një idiot i lindur bën sikur nuk e kupton që Rama po bën pazar pë Reformën Zgjedhore. Vetëm një gjë ama duhet pranuar se e ka thënë drejt: asgjë nuk ka ndryshuar! Asgjë nuk ka ndryshuar me 2008 kur pazarin e beri po me Non Grata-n. Asgjë nuk duan të ndryshojnë: listat të mos i hapin; diaspora të mos votojë; të marrin mandate gratis në tavolinë. Mund të jeni 3 hapa para me spërdredhje siç keni bërë për 30 vjet në kurriz të shqiptarëve por mos harroni se shqiptarët shkelmin e kanë gati!
Negociatat mes opozitës dhe maxhorancës, aktualisht janë në një ngërç, pasi takimi i lënë për sot, nuk u zhvillua. Një ditë pasi u dakordësuan parimisht për 2 komisione hetimore dhe ngritjen e një nënkomisioni për Reformat. Por lidhur me këtë çështje, palët nuk e kanë ndarë ende objektin e hetimit. Kështu Konferenca e Kryetarëve u shty me kërkesë të të gjitha palëve./ZËRI