
TIRANË – Kryeministri i vendit Edi Rama ka folur me superlativa për punën e bërë nga ana e administratës publike. Ai tha se administrata i ka zbardhur faqen shqiptarëve në Bruksel. Madje, Rama ka premtuar se do të ketë rritje pagash për administratën këtë vit.
“Kjo nuk është një fjalë e bukur, ky është një fakt që çdo kush që hyn çdo mëngjes në derën e administratës publike duhet ta ketë parasysh, sepse nga çdokush prej jush varet një grimcë e punës kolosale që duhet të bëjë Shqipëria për t’u ulur në atë tryezë që deri dje ishte e pamundur të imagjinohej. Është një mundësi reale për ta bërë këtë vend, një vend që funksionon me të njëjtat interesa si vend anëtar i BE. Tani për hir të vërtetës këtu janë një pjesë e atyre që ishin pjesë e takimit dhe e kanë dëgjuar që unë kam qenë shumë i shqetësuar kur filloi procesi.
Nuk e mendoja dot që administrata jonë do të nxirrte nga vetja një rezultat të tillë dhe do të na zbardhte faqen me superlativa në Bruksel. Nuk e kam besuar dhe e kam ndarë dhe me bashkëpunëtorët që ky mund të jetë momenti ynë, pasi mund të shfaqemi me sakëlldira që në Bruksel nuk i fsheh dot. Unë kam rënë pre, e atij përceptimi që thonë se administrata nuk bën asgjë dhe nuk janë aty për hir të meritës. Edhe unë i ndikuar kisha të njëjtin përceptim. Prezantimet në Bruksel, pra i gjithë procesi përfundoi me habi dhe është siguria më e madhe dhe fakti më i pakonceptueshëm, që ne i kemi të gjithë arsyet që Shqipëria mund të mbështetet te kjo administratë dhe mund t’ia dalë më shpejt se të tjerët në rajon fal kësaj administrate. Ne i kemi rritur dhe do t’i rrisim prap pagat këtë vit, por duhet një qetësi shpirtërore që e gjithë administrata të bëjë mirë punën e vetë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë Edi Rama ka premtuar më herët, se këtë vit, paga mesatare në administratën publike do të jetë 900 euro./ZËRI/