
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka përparuar me hetimet për kryebashkiakun e Kamzës Rakip Suli, i cili pritet që të merret në pyetje javën e ardhshme.
Kryebashkiaku socialist i Kamzës është kallëzuar në SPAK për disa vepra penale si “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Deri tani nga 10 kallëzues janë thirrur 4 prej tyre, ndërsa 6 të tjerë do pyeten të hënën e ardhshme. Ndërkohë pas përfundimit të marrjes në pyetje të kallëzuesve thonë burimet për ëeblajm, javën e ardhshme do të merret në pyetje edhe kryebashkiaku Rakip Suli. Nga hetimet ka rezultuar se ka disa raste të abuzimeve me kompensimet e fondit të rindërtimit me praktikat e Ds1 Ds2 Ds3 Ds4 Ds5.
Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se një pjesë e denoncuesve janë paraqitur dje në SPAK, për të dhënë deklarimet e tyre për kallëzimin e depozituar në SPAK pak javë më parë ndaj kryebashkiakut socialist të Kamzës, Rakip Suli.
“Ne kemi paraqitur mënyrën si njoftohen këshilltarët bashkiakë për të bërë mbledhjet ‘online’, kjo në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore, por edhe në kundërshtim me vetë rregulloren e këshillit bashkiak. Këshilltarët e opozitës kanë kohë që i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë dhe të këshillit bashkiak për t’i vënë në dispozicion një rregullore sesi funksionin këshilli bashkiak dhe kjo rregullore edhe sot, që kemi ardhur në SPAK, nuk vihet në dispozicion. Para SPAK kemi paraqitur raportin e auditimit të KLSH, i cili ka gjetur mjaft shkelje ligjore, vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Kryesisht këto vepra penale lidhen me mënyrën si janë investuar shpenzimet e caktuara nga këshilli bashkiak i kaluar dhe në lidhje me parashikimet ligjorë që i korrespondonte vlerës 3% të strehimit sociale, ligji i cili është ndryshuar në kundërshtim me kushtetutën me një VKM të marrë në 2019 në kohën kur kjo bashki kishte autonomi nga pjesëmarrësit e PS. Në të gjithë këto vepra penale që ne denoncojmë, përfaqësuesit e koalicionit BF kanë kërkuar që të mbajë një qëndrim jo vetëm kryetari i bashkisë, por edhe këshilli bashkiak që në kundërshtim me ligjin kërkojnë që mbledhja të bëhet ‘online’, por edhe për vendimet që i marrin fshehtas.
Shpresojmë që SPAK të verë para përgjegjësisë kryetarin e bashkisë, kryetarin e këshillit bashkiak dhe zyrtarë të tjerë”, tha avokatja Adriana Kalaja menjëherë pas depozitimit në SPAK të kallëzimit mesditën 11 shtatorit 2023./Zëri.ai