
TIRANË-Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bojkotuar sërish këtë të mërkurë fletë-thirrjen e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për seancën gjyqësore të konfirmimit të masës së sigurisë "Detyrim paraqitje" dhënë më herët. Seanca mbahet sot në orën 14:00.
Kryedemokrati ka zgjedhur ashtu si dje të përfaqësohet nga avokatët e tij. Lideri i i PD akuzohet për "Korrupsion pasiv" në lidhje me dosjen "Partizani", që çoi në pranga dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes por kaloi në "duart" e dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit si trashëgimtar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë. Si përfundim, qendra më të madhe sportive, me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro./Zëri.ai