
TIRANË-Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka hapur supertenderin me vlerë 20 milionë euro për të bërë prokurimet publike me Inteligjencë Artificiale. Institucionet përgjegjës do të jetë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, AKSHI ka hapur tenderin me objekt “modernizimi i sistemit të prokurimeve publike (GOVTECH/2)”. Vlera e të gjithë procedurës është plot 1.979.583.333 lekë, ose mbi 20 milionë euro. Bëhet fjalë për sistem elektronik i inteligjencës.

Në muajin dhjetor 2024, Rama deklaroi se në mandatin e katërt, prokurimet publike do të bëhen 90% me AI.
“Kur mblidhemi në të Ballkanit bëjmë dy sforco të mëdha, kush është më i vjetri dhe kush është i pari. Më të vjetrit dihet që jemi ne, por që të jemi të parët, kjo nuk para dihet…. Ne modelin e AI që po ndërtojmë besoj se në mandatin tonë të katërt ne do jemi vendi i parë që do realizojmë prokurime 90% me AI, dhe me nivel të pakonkurrueshëm. Kjo do jetë një tjetër arritje falë kësaj mundësie që na jep teknologjia” tha Rama.
Krahas nismës së Edi Ramës, Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë një draft për prokurimet, në bazë të “vizionit 2030”. Në asnjë rresht nuk përmendet “GOVTECH/2”, që prokuroi AKSHI.
Pjesë nga drafti:
Sistemi elektronik i prokurimit është funksional në Shqipëri që në vitin 2009. Gjatë gjithë këtyre viteve, SPE-ja ka pësuar përmirësime madhore, duke përfshirë funksionalitete dhe module të rëndësishme jo vetëm për të përmirësuar performancën e sistemit elektronik, por edhe performancën e sistemit të prokurimit në tërësi. Ndër zhvillimet më të rëndësishme në lidhje me sistemin do të jetë përdorimi i teknologjisë së avancuar të inteligjencës artificiale dhe proceseve të robotizuara në përputhje me parashikimet evropiane, në procedurat e prokurimit publik.
Disa procese te prokurimit publik, si përllogaritja e vlerës limit të kontratës, studimi i tregut, hartimi i specifikimeve teknike duhet të kryhen në sisteme elektronike të çertifikuara, mbështetur në ndërveprim me sisteme të tjera të Platformës Qeveritare të Ndërveprimit. Për këtë qëllim, Sistemi i Prokurimit Elektronik do të zhvillohet duke përdorur teknologji të avancuar të Inteligjencës Artificiale dhe procese të robotizuara në përputhje me parashikimet Europiane.
Gjithashtu, është e nevojshme kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të vecanta të kualifikimit të ofertuesve për fazën e parë të parakualifikimit, sidhe zhvillimit të Sistemit dinamik i blerjes, ankandit elektronik dhe katalogut elektronik duke përdorur teknologji të avancuar të Inteligjencës Artificiale dhe procese të robotizuara.
Institucioni përgjegjës: AKSHI, APP.