Politikë

Mandati i Vullnet Sinajt, PS dhe PD dakordësohen që çështja të kalojë në seancë plenare

Të dyja partitë politike, Socialiste dhe Demokratike kanë rënë dakord që mandati i Sinajt të kaloj në seancë plenare.

I.F
Mandati i Vullnet Sinajt, PS dhe PD dakordësohen që
Vullnet Sinaj

TIRANË- Këshilli i Mandateve është mbledhur sot për të diskutuar për mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj. Të dyja partitë politike, Socialiste dhe Demokratike kanë rënë dakord që mandati i Sinajt të kaloj në seancë plenare. Klotilda Bushka propozoi që çështja e mandatit të tij të kalojë në seancën e parë plenare, por jo të hënën që është nisëse.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi kërkoi që mocioni për mandatin e Sinajt të përfshihet në rendin e ditës së seancës plenare.

“Për të gjitha sa më lart kërkojmë që mocioni të përfshihet në rendin e ditës së seancës plenare sa më të parë dhe dërgimin menjëherë të çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimin e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”, tha Bardhi.

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe socialistja Klotilda Bushka, e cila tha se Këshilli rekomandon që mandati të kalojë për votim në seancë plenare.

“Në këto kushte shumica në këtë këshill rekomandon që t’i kalojë në seancë plenare për votim projektvendimi për dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë të mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”, tha Bushka. 

Bardhi u shpreh se për herë të parë mazhoranca dhe opozita janë dakord për raportin e Këshillit të Mandateve.

“Unë po flas për raportin e Këshillit që ndodh për herë të parë që ne biem në një mendje, edhe mazhoranca edhe opozita, që mocioni është kushtetues dhe përmbush të gjitha kriteret”, tha Bardhi.

Mbledhja u zhvillua për mocionin e paraqitur nga grupi i Partisë Demokratike, i cili kërkon ndjekjen e procedurës për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Sinaj, si dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Demokratët kanë kërkuar zyrtarisht që Kuvendi të nis procedurën parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Sinaj, pasi e akuzojnë se në 9 transaksione përfitoi 36 mijë euro nga Buxheti i Shtetit. Në Mocionin e firmosur nga 14 ligjvënës opozitarë, evidentohet përmes 30 provave shoqëruese, se deputeti Sinaj ushtron mandatin në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, që i ndalojnë deputetit që të përfitojë fonde nga Buxheti i Shtetit apo pasuri të shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB