Politikë

DEBATE/ Bardhi: Deputetët të vetëdeklarohen, kush ka përdorur ‘SkyECC’? Çuçi: Ta shqyrtojë grupi i punës

Gazment Bardhi është shprehur se deputetët mund ta kenë përdorur edhe për arsye private, por duhet t'ja bëjnë me dije qytetarëve.

I.F
DEBATE/ Bardhi: Deputetët të vetëdeklarohen, kush ka
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Në mbledhjen e sotme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kreu i grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka parashtruar propozimin e tij që deputetët që kanë përdorur aplikacionet “SkyECC” dhe "Encrochat" të vetëdeklarohen përmes një formulari. Duke prezantuar nismën e tij, Bardhi është shprehur se deputetët mund ta kenë përdorur edhe për arsye private, por duhet t'ja bëjnë me dije qytetarëve. Në parim, duket se as socialistët nuk ishin kundër vetëdeklarimit. Nënkryetari i Kuvendit, deputeti Bledi Çuçi tha se ky propozim duhet shqyrtuar në një grup më të gjerë pune.

DISKUTIMET MES TYRE:

Gazment Bardhi: Hetimet kanë zbardhur komunikimet edhe të deputetëve me eksponentë të krimit të organizuar. Këto dyshime ngrenë pikëpyetje mbi integritetin e deputeteve, por edhe të vetë Kuvendit të Shqipërisë. Nuk po them se deputetët e kanë përdorur për krime. Mund ta kenë përdorur për arsye private të jetës tyre. Por secili prej nesh do duhet të deklarojë e  ka përdorur apo jo platformën e Sky Ecc. Kjo është e gjitha. Kush nuk ka asgjë për të fshehur nuk ka pse të frikësohet. Për sa kohë ne ja kemi vënë detyrim funksionarëve të tjerë të shtetit do duhet ta nisim nga vetja. Kjo është e ndershme. Sa kohë detyrojmë një funksionar policie që paguhet me 600 mijë lekë të vjetra ne do duhet ta nisim ne nga vetja. Ky është standard moral.

Bledi Çuçi: Doja te shprehja qëndrimin e grupit tonë parlamentar, pavarësisht nga çfarë mendoj unë se si ruhet integriteti i deputetit. Nga pikëpamja proceduriale këtë duhet ta shqyrtojmë edhe në një grup pune sepse janë disa çështje proceduriale që duhen pare. A është kjo çështje Rregullores se Kuvendit apo jo? A duhet te merret Rregullorja vetëm me një aplikacion se janë disa të tilla? A e afekton kjo Kodin Penal apo jo? Pra, janë disa çështje që duhen shqyrtuar. Le ta shqyrtojë një grup profesionistësh këtë çështje nëse afekton apo jo Kodin Penal. Mund ta përfshijmë te formulari i vetëdeklarimit përpara kandidimit apo mund të përfshijmë ndoshta dhe kryetaret e bashkive apo njerëzit e sistemit të drejtësisë. Une personalisht nuk e mendoj kështu, megjithatë le ta bashkojmë me ndryshimet e tjera të Rregullores dhe ta shohim më gjerë këtë çështje. Mënyrën si e keni shkruar këtu propozimin nuk qëndron nga ana kushtetuese. Nuk duhet të bëjmë nje ndryshim, i cili cenohet shume kollaj nesër der në Gjykatën Kushtetuese. Nëse duam vërtet një gjë që të adresojë çështjen e pastërtisë se figurës së deputetit, duhet ta bëjmë tamam, jo për populizëm.

Gazment Bardhi: Grupet e punës së administratës janë të administratës, ne jemi këshill i mandate. Unë propozimin nuk e kam bërë që të ma vlerësojë sekretari i kuvendit apo administrata me gjithë respektin që kam. Kodi i etikës është pjesë e rregullores dhe sigurisht që parimet e etikës në i kemi në këtë rregullore.

Ndërsa, Çuçi i tha Bardhit se ai ndryshon deklaratat herë pas here dhe se duhet të jap dorëheqjen tashmë, sepse është Berisha kryetar i PD-së. Nga ana tjetër, Bardhi debatoi me nënkryetarin e Kuvendit, se edhe ai ndryshon deklaratat sipas urdhrave që i jep kryeministri Edi Rama. Demokrati e bëri këtë akuzë, pasi sipas tij Çuçi deklaroi se çështja e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese, por ai më vonë ndryshoi mendje. 

Bledi Çuçi: GJK e ka thënë shumë qartë, çdo referim dhe prekje e kodit penal duhet miratuar me 3/5.

Gazment Bardhi: Kur e ka thënë GJK?

Bledi Çuçi: Je jurist, nëse mohon këtë, mohon shkollën që ke bërë. Grise diplomën dhe vazhdo… Mos më ndërpre… Deklarimi i të dhënave të rreme përbën vepër penale. Kjo është përcaktim i pastër penal.

Bledi Çuçi: Je mësuar, një gjë e deklaron sot, e mohon nesër. S’duhet të ishe këtu. Duhet të kishe dhënë dorëheqjen se Sali Berisha u bë kryetar.

Gazment Bardhi: Po ç’punë ke ti se çfarë kam thënë unë për Sali Berishën?

Bledi Çuçi: Është pjesa e integritetit. Ky është një nen që i referohet integritetit të deputetit. Çështjet që lidhen me intetegritetin, referohen në ligjin për integritetin e funksionarit dhe është një ligj që rregullohet me 3/5.

Bledi Çuçi: Aplikacionet nuk përmenden në ligj. Nesër mund të dalë një aplikacion tjetër, do mblidhemi sërish ne? Ta shtyjmë këtë çështje.

Gazment Bardhi: Për këto ndryshimet e deklaratave, në këtë Këshill erdhe dhe the do ta çojmë Olta Xhaçkën në GJK, pasdite të mori Edi Rama në telefon dhe në seancë the nuk do ta çojmë. E keni në procesverbal. Ne iu kërkuam të mos e thoni, ju e thatë. Keni siklet nga SkyECC dhe EncroChat. Ke qenë ministër i Brendshëm. E turpshme të mos dish metodat si ka komunikuar krimi. Je shef personeli ti që ruan pastrueset kur hyjnë e kur dalin? Unë s’kam përdorur aplikacion, ça implikimi ligjor kam unë? Nuk po akuzojmë. Ka deputetë që kanë përdorur këtë sistem për të komunikuar me krimin e organizuar, janë 10-20 të mbajnë përgjegjësi, 120 të tjerët s’kanë pse të mbajnë baltën e këtyre individëve. Po i fshihni opinionit publik se kush është ajo pakicë që ka përdorur aplikacionet e krimit të organizuar.

Arben Pëllumbi: Zoti Bardhi, ke ndonjë informacion që unë kam përdorur ndonjë nga këto? Nëse jo, atëherë mos më ndërhyj në argument.

Ndërsa, deputeti i PD-së, Saimir Korreshi u shpreh se ky ndryshim rregulloreje rrit transparencën. Korreshi me ironi tha se ky aplikacion nuk është përdorur nga deputetët për të bërë “puçi-puçi me gruan”.

Saimir Korreshi: Nuk ke pse e përdor për qëllime të sinqerta. Në EncroChat nuk bën puçi-puçi me gruan. Më vjen keq. Nuk e qëllojmë dot që një deputet të ketë folur me grun me EncroChat. Pse të mos ndryshojë rregullorja. Kaq transparencë mund tia bëjmë njerëzve. Pastaj nëse ka folur me gruan nuk ka ndonjë gjë të keqe

Debatet në Këshillin e Mandateve nisën pasi ditën e djeshme Bardhi dorëzoi në Kuvend një letër drejtuar kryeparlamentares Elisa Spiropali, ku kërkoi që deputetët të vetëdeklarohen nëse kanë përdorur aplikacionet e "SkyECC". 

Shkresa e dorëzuar nga Bardhi

Nga burime të ndryshme mediatike janë hedhur dyshime serioze se në aktet e dërguara nga autoritetet franceze, belge dhe hollandeze të drejtësisë, rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme. Këto dyshime ngrejnë pikëpyetje mbi integritetin, etikën dhe besueshmërinë jo vetëm të deputetëve, por edhe të vetë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka për funksion themelor të sigurojë përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve dhe një proces ligjbërës të udhëhequr nga interesi publik.

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si përfaqësues të qytetarëve, duhet të mishërojnë standardet më të larta të integritetit profesional dhe moral, etikës dhe ligjshmërisë. Ekzistenca e komunikimeve në aplikacionet e enkriptuara, që dihet botërisht se përdoreshin nga grupet kriminale, me qëllim ushtrimin e aktiviteteve të paligjshme, dëmton rëndë reputacionin dhe kredibilitetin e deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë.

DEBATE/ Bardhi: Deputetët të vetëdeklarohen, kush ka

DEBATE/ Bardhi: Deputetët të vetëdeklarohen, kush ka

Prandaj, nisur edhe nga modeli i përdorur për punonjësit e Policisë së Shtetit, të miratuar me urdhërin nr. 196, datë 04.12.2023 të Ministrit të Brendshëm, me qëllim ruajtjen e standardeve më të larta etike dhe të integritetit, është propozuar detyrimi i çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”.

Neni 62/2, i propozuar për t’u shtuar në Rregulloren e Kuvendit, parashikon, krahas detyrimit për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, modelin e vetëdeklarimit, afatin e dorëzimit të këtij formulari, strukturën administruese, pasojat e plotësimit me të dhëna të rreme, publikimin në faqen zyrtare të Kuvendit, në përputhje me parimin e transparencës, dhe përcjelljen për dijeni Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Si shprehje e vullnetit të plotë për miratimin e kësaj dispozite, deputeti propozues i këtij projektvendimi, do të dorëzojë bashkëlidhur edhe formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”, të plotësuar.

Encro Chat dhe Sky ECC, janë dy nga dhjetra aplikacione të enkriptuara që tashmë janë çkoduar nga agjensitë ligjzbatuese. Aksioni i dekriptimit të tyre ka çuar në pranga disa persona të përfshirë në botën e krimit, por edhe njerëz të botës së biznesit, madje dhe politikës (Jurgis Çyrbja)./ZËRI

Poll

MOS HUMB