Politikë

PS dhe Rithemelimi marrëveshje kundër SPAK? Basha rezolutë në emër të PD: Po ushtrojnë trysni mbi drejtësinë

Basha shprehet se PS dhe një grupim i deputetëve të opozitës, po ushtrojnë trysni mbi organet e drejtësisë

E.K
PS dhe Rithemelimi marrëveshje kundër SPAK? Basha rezolutë
Lulzim Basha

TIRANË- Kryesia e Partisë Demokratike, që përfaqësohet nga Lulzim Basha, ka miratuar së fundi një rezolutë, ku siguron opinionin publik dhe faktorin ndërkombëtar, për qëndrimin e saj pro Reformës në Drejtësi. Në rezolutën e miratuar nga PD, thuhet se kjo forcë politike, është e vendosur në qëndrimin e saj për të çuar përpara përpjekjet për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale, duke mbështetur organet e reja të drejtësisë. Kjo rezolutë e miratuar nga Basha, vjen pak ditë pas përplasjeve në Kuvend, me përfaqësuesit e Rithemelimit, teksa në bashkëpunim me PS-në, u miratua amnistia penale. 

“Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e mbledhur sot me datë 7 prill 2024, në përmbushje të përgjegjësive të veta politike dhe statutore, nën dritën e zhvillimeve më të fundit politike dhe institucionale, konstaton se: Reforma në drejtësi është duke dhënë rezultatet e para konkrete inkurajuese në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë”.

“SPAK dhe GJKKO gëzojnë sot mbështetjen më të lartë dhe besimin më të madh publik; Për këto shkaqe Partia Socialiste dhe disa deputetë të zgjedhur me vota opozitare, janë bashkuar në akte parlamentare, të realizuara në mungesë të plotë të transparencës, si një përpjekje për të dekurajuar këto arritje, si dhe krijimin e një atmosfere politike që trysnon organet e reja të drejtësisë”, thuhet në rezolutën e Partisë Demokratike zyrtare.

Nga ana tjetër, grupi i deputetëve që përfaqësohen nga Basha, kërkojnë që të miratohen edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që mundësojnë mbajtjen e zgjedhheve të lira, me lista dhe garë të hapur, si dhe sigurimin e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

“Partia Demokratike shpreh me forcë angazhimin e saj të palëkundur për: Forcimin e institucioneve demokratike; Vendosjen e barazisë përpara ligjit si parim themelor kushtetues; Ndarjen e pushteteve, si garancia kryesore e një qeverisjeje të mirë dhe transparente; Mbështetjen e pakushtëzuar dhe pa rezerva për sistemin e drejtësisë, në përpjekjet kurajoze për rivendosjen e ligjshmërisë dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë;  Një Sistem Zgjedhor që siguron garën e hapur, barazinë e votës dhe votën e diasporës, duke i qëndruar me vendosmëri propozimeve tona për: Lista të hapura; Shqipëria një zonë zgjedhore; Mundësimi i votimit të diasporës; Votimi dhe numërimi elektronik”, thuhet në rezolutë.

“Partia Demokratike siguron opinionin publik se do të ndërmarrë çdo hap në mbrojtje të këtyre parimeve demokratike. Partia Demokratike i rikonfirmon partnerëve ndërkombëtarë angazhimin e saj politik për të çuar përpara përpjekjet e përbashkëta për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale”, përfundon deklarata e kryesisë së PD.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB