
TIRANË- Protesta për minimumin jetik, e organizuar nga Lëvizja Bashkë, është zhvilluar mëngjesin e sotëm teksa deputetët futeshin në Kuvend. Qytetatët e mbledhur para godinës së Kuvendit të Shqipërisë ishin mbledhur me pankarta në duar për të dhënë mesazhin e shkruar edhe e zeza në të bardhë: Miratoni minimumin jetik!
Teksa protesta zhvillohej, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka kaluar pranë tyre dhe është "përplasur" me një qytetar me aftësi të kufizuara. Ky i fundit e ka marrë për deputet të Partisë Socialiste, megjithatë sapo ka marrë vesh se kë kishte përballë, sërish nuk ia kurseu kritikat.
“Opozitë je, por rrogën për vete e bëre,”- i tha qytetari.
Akuzave, demokrati zgjodhi që të mos i përgjigjej, duke vazhduar rrugën për të marrë pjesë në seancë plenare.
Kanë kaluar 9 muaj që kur aktivistët e Lëvizjes Bashkë dorëzuan pranë zyrave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve 21 mijë nënshkrime për miratimin e një projektligji për minimumin jetik. Por deri më tani projektligji ende nuk është shqyrtuar as nga opozita dhe as nga maxhoranca./Zëri.ai