Politikë

Avokati i Popullit/ Ambasada Amerikane: Jetike! BE 'rrëzon' Bardhin: S'kemi diskutuar me opozitën

Fillimisht, në një reagim për "News24", Ambasada Amerikane shkruan se institucionet demokratike funksionale janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. më pas, pati dhe një kominikim zyrtar edhe nga Bashkimi Europian.

f.g
Avokati i Popullit/ Ambasada Amerikane: Jetike! BE 'rrëzon'
Foto ilustruese

TIRANË- Zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit ishte kthyer në një shqetësim edhe për ndërkombëtarët. Të paktën kështu pretendoi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ndaj sot, ka pasur reagime nga përfaqësitë ndërkombëtare në Shqipëri.

Fillimisht, në një reagim për "News24", Ambasada Amerikane shkruan se institucionet demokratike funksionale janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. Duke evidentuar se Avokati i Popullit luan një rol të rëndësishëm në reformën në Drejtësi. Por distancohen në debatin për udhëheqjen e Partisë Demokratike, duke përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tyre për "non grata-t", konkretisht kryedemokratin Sali Berisha.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri shprehen se zgjedhja e Avokatit të Popullit është zvarritur, por shtojnë se mbështesin çdo përpjekje të bërë deri më tani. Por hedhin poshtë pretendimet e Gazment Bardhit se kanë pasur komunikim me aktorët e opozitës lidhur me këtë çështje. 

REAGIMI I AMBASADËS: 

Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacion kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi. Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri. Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla.

REAGIMI I DELEGACIONIT TË BE: 

Delegacioni i BE-së beson në rëndësinë vendimtare të opozitës për funksionimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, Delegacioni i BE-së nuk komenton dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive politike. Në rastin konkret, Delegacioni i BE-së nuk ka diskutuar me anëtarët e opozitës për çështjen e papërfunduar të zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga parlamenti. Delegacioni i BE-së mbështet plotësisht çdo përpjekje të ndërmarrë për finalizimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një tjetër hap i rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE.

Emri që mbështeste Bardhi dhe një pjesë e mirë e deputetëve të këtij grupi brenda Partisë Demokratike për Avokat të Popullit ishte Ledio Braho, ndërsa Alibeaj dhe një grup më i vogël deputetësh mbështesnin emrin e Dorian Gjonmarkajt. Si rrjedhojë, procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shtyhet prej muajsh pasi maxhoranca dhe opozita nuk bien në dakordësi. Sipas Kushtetutës, posti i Avokatit të Popullit kërkon një shumicë të cilësuar votash në Kuvend, 84 të tilla. Vakanca për Avokatin e ri të Popullit u shpall fillimisht nga Komisioni për Çështjet Ligjore më 30 mars 2022 pas përfundimit të mandatit të Erinda Ballancës./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB