
TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i ka kërkuar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve, për të diskutuar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit, që dënoi me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji. Në shkresën që mban firmën e Gazment Bardhit, grupi parlamentar i PD-së thotë se vendimi i Gjykatës së Apelit është një akt hakmarrës, dhe cënon mandatin e deputetit. Po ashtu në kërkesë thuhet se arrestimi i deputetit nuk mund të kryhet pa dhënë më parë Kuvendi një autorizim.
KËRKESA E PD
Znj. Kryetare e Kuvendit, Me një akt hakëmarrës politik, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendim të datës 26 Shtator 2024, ka urdhëruar burgusjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, kolegut Ervin Salianji, për një krim të pakryer dhe për një cështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës.
Po në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës. Sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në cfarëdo llojë forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa AUTORIZIMIN e Kuvendit”. Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cënojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik.
Për këtë arsye, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë.
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE, Përfaqësuar nga: KRYETARI Gazment BARDHI.
Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI