
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, teksa pret zbatimin e urdhër-arrestit ndaj tij, ka mbërritur paraditen e sotme në seli, ku po zhvillin një takim me kreun e grupit parlamentar Gazment Bardhi. Gjatë ditës së sotme, Partia Demokratike do të mbledhë grupin parlamentar, ku do të diskutohet dhe axhenda që do të ndjekë opozita pas vendimit të Gjykatës së Apelit, për të burgosur Ervin Salianjin.
Tashmë është çështje orësh që prokuroria të kërkojë ekzekutimin e vendimit për Salianjin, i cili që prej ditës së djeshme u vetëofrua që të dorëzohej në polici, dhe më pas të vuajë dënimin me 1 vit burg.
Ndërkohë është hedhur shorti në Prokurorinë e Tiranës, ku do të jetë Elona Alvora, ajo që do të ekzekutojë vendimin e Apelit.
Një ditë më parë Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, e cila ka dënuar me një vit burg Salianjin, nën akuzën e “kallëzimit të rremë”. Këtë vendim Salianji e ka cilësuar si dënim politik, dhe të parin në histori, kur një person dënohet me burg për një vepër të tillë penale.

Opozita reagoi ashpër në lidhje me dënimin e Salianjit, ndërkohë që janë paralajmëruar protesta në të gjithë vendin, dhe radikalizim të qëndrimeve edhe në Kuvend.
“PD me përgjegjshmëri absolute e trajtoi këtë situatë dhe ka vendosur që të përvijojë aksionin e saj. Data 6 do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës.
Ne nuk mund të rrimë duar kryq, kur drejtësia e re vepron në shkelje të ligjeve dhe kushtetutës, kur drejtësia e re bëhet marionetë në duart e Ramës dhe regjimit, kur drejtësia e re vendos padrejtësinë e saj si normë ndaj opozitës, dhe kur drejtësia e re funksionon si organizatë kriminale për të pastruar dosjet e krimit të Ramës, Veliajt dhe pushtetarëve.
Edi Rama me vendimin e burgosjes së nënkryetarit të grupit parlamentar Ervin Salianji kërkon të kërcënojë opozitën se, kush lufton kundër Ramës dhe ministrave të tij, kush denoncon Ramën dhe ministrat e tij, kush denoncon narkotrafikun dhe lidhjet e Ramës me krimin e organizuar e pret ky fat.
Atëherë opozita nuk mund të rrijë duarkryq. Nuk bëhet fjalë për protestë thjeshtë kombëtare; përshkallëzim. E kemi thënë dhe po e them sot, përshkallëzim. Radikalizim.
Nuk do të thotë që të mblidhemi në bulevard, por që do të thotë se do të jemi në terren në të gjitha akset kryesore. Bllokimi i akseve do të jetë një nga idetë që do ti propozohen këshillit kombëtar.
Qytetarët janë sot një hap para opozitës. Ata janë të revoltuar dhe ata kanë nevojë që ne ti kontaktojmë dhe të ju prijmë. Rrugë jonë është pa kthim.
Edi Rama do të rrëzohet dhe ky rregjim do të rrëzohet. Shqipëria nuk mund të pranojë një narkoregjim që kërkon të likujdojë opozitën dhe të rrënojë e shpopullojë Shqipërinë.
Parlamenti pa diskutim.
Aksioni opozita do të jetë edhe në parlament edhe në terren.
Nuk ka më paqe për Edi Ramën dhe regjimin e tij kriminal dhe as për narkodrejtësinë e tij.
Sot mund të ju them vetëm kaq.
Kryesia e vogël e partisë është duke diskutuar detajet dhe do të ja paraqesim këshillit kombëtar.
PD do të jetë në betejë me regjimin. Pra drejtësia e re është marionetë e regjimit dhe do të trajtohet si marionetë e regjimit.
Kushtetuta e Shqipërisë dhe Kodi i Procedurës penale përcakton që deputetit nuk mund ti kufizohet liria apo nuk mund të burgoset pa miratimin e Kuvendit.
Narkodrejtësia politike mund të bëjë dhe çmendurira, por detyrimi kushtetues dhe ligjor është të vijë në kuvend. Ne përgjigjem do të ja japim edhe regjimit edhe narkodrejtësisë’, deklaroi mbrëmjen e djeshme Flamur Noka, pas mbledhjes së grupit dhe të kryesisë së PD-së.
Në lidhje me dënimin e Salianjit, pati dhe një reagim nga kryeministri Edi Rama, i cili u përfshi në replika të forta me Gazment Bardhin. Kreu i qeverisë tha se vendimi është i ligjshëm dhe theksoi se drejtësia vonoi po nuk harroi.
Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi I Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI