Politikë

Pak orë nga arrestimi, rrëfehet Salianji: Do të shkoj vetë në polici, çështjen do e ndjek nga burgu

Salianji ka hedhur akuza në drejtim të trupës së gjyqtarëve që morën vendimin për dënimin e tij me burg

F.I
Pak orë nga arrestimi, rrëfehet Salianji: Do të shkoj vetë
Ervin Salianji

TIRANË-Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka treguar se vendimi politik, sipas tij, i dhënë ndaj tij me urdhër të kryeministrit Edi Rama, do të zbatohet menjëherë. Në një interviste për ‘Çim Peka LIVE, Salianji tha se në dijeni të tij, policia nesër do të zbatojë vendimin e prokurorisë për ndalimin e tij, por deputeti i PD-së, u shpreh se do të shkojë vetë në polici.

"Po, besoj se në rrugë e sipër është. Është ndjekur një procedurë, që do të jetë urdhër ekzekutimi i menjëhershëm dhe nesër mesa duket do të zbatohet. Por do të jem vetë që do të shkoj", tha Ervin Salianji.

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka hedhur akuza në drejtim të trupës së gjyqtarëve që morën vendimin për dënimin e tij me burg, pasi denoncoi publikisht Geron Xhafaj, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për narko-trafik. Sipas tij, avokati i deputeti demokrat ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Iliba Bezati, e cila është kunata e motrës së zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe nuk është marrë parasysh nga gjykata. Akuzat e tij demokrati tha se do i faktojë me dokumente edhe nga burgu.

"Në dijeninë time nga të dhënat e marra nga avokatët ka qënë një vendimmarrje me shumicë 2 me 1. Për të qënë korrekt ne kemi kërkuar përjashtimin e një gjyqtare e cila është kunata e motrës së zëvendëskryeministres madje ka bërë skena skizofrenie herën e kaluar duke menduar se është pronare e sallës dhe ka bërë reagime edhe ndaj deputetëtve. E ka mbajtur me zorë atë pozicion sepse ka qënë në shërbim. Po u them sot një prej pjesëve që e ka mbrojtur në fund të korrikut nga shkarkimi si gjyqtare. Raporti i DSIK bazuar në nenin 39 pika 2 ka përditësuar dhe ndryshuar konstatimin fillestar të bërë në raportin fillestar për këtë zonjë  duke referuar për komisionin e apelimit papërshtatshmërinë në vazhdimin e detyrës për subjektin e rivlerësimit Iliba Bezati. Kjo zonjë ka qënë e papërshtatshme për DSIK që kontrolloj pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. E njëjta gjë ka qënë edhe për rivlerësimin e pasurirsë së saj. Do e faktoj me dokumenta qoftë në burg kur të jem, kur Fatmir Xhafa kur ka qënë ministër, inspektorët e i kanë vënë masë dhe e kanë çuar në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë në atë kohë dhe ministri Fatmir Xhafaj e ka tërhequr nga dhënia e masës dhe në po atë mbledhje ka bërë rivendosjen  në afat kërkesës për ta bërë gjyqtare në Apel pasi kërkesa ishte jashtë afateve", tha Salianji.

Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i sotëm i Gjykatë së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë.

Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI

Poll

MOS HUMB