
DURRËS- Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi tha se procesi i Primareve në Durërs po shkon shumë mirë dhe ka pasur interes të lartë nga anëtarët e PD për të marrë pjesë në votim. Bylykbashi shprehet se ky është një process demokratik dhe do të jenë anëtarët që do të përzgjedhin se kush do t’i përfaqësojë ata në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Sot është hapur një prej proceseve më demokratike. Janë Primaret e PD për të përzgjedhur në fazën e parë kandidatë që do t’i nënshtrohen më tej gjykimit të PD për listat e zgjedhjeve të 11 majit 2025 për Kuvendin e Shqipërisë. Janë një moment i rëndësishëm sepse anëtarësia do të përcaktojë me votë, kush do t’i përfaqësojë ata dhe shqiptarët që do të duan të votojnë më 11 maj ndryshimin.
Procesi ka nisur në orën 08: 00 me një interes të lartë, fluksi është i lartë që në fillim, me një rregullshmëri maksimale.
Procesi deri tani po shkon shumë mirë në të gjithë qarkun e Durrësit”, tha ai.
Primaret në vetvete përmbajnë rregulla mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet që do të mbahet konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën./ZËRI