
FIER- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi u shpreh se ka pasur një fluks votimesh nga anëtarët e PD-së në Fier për të përzgjedhur kandidatët për deputet. Bardhi, i cili është edhe drejtuesi i PD-së për qarkun e Fierit, tha se Partia Demokratike respekton vullnetin e anëtarëve dhe ndjek një proces demokratik për përzgjedhjen e kandidatëve.
“Është një proces statutor në PD, janë anëtarët e partisë të ftuar për të përzgjedhur kandidatët për deputetë më 11 maj. Kjo tregon se PD respekton vullnetin e anëtarëve dhe ndjek një proces demokratik të përzgjedhjes së kandiatëve përmes parimit ‘një anëtar, një votë’.
Ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm për të shprehur vullnetin e tyre. Anëtarët të paraqiten, të marrin pjesë në votime e të shpallin vullnetin e tyre për kandidatët që kanë aplikuar në këtë proces të brendshëm demokratik të kësaj partie”, tha Bardhi.
Primaret në vetvete përmbajnë rregulla mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet që do të mbahet konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën./ZËRI