
TIRANË- Në primaret e 1 marsit do të jenë 300 pjesëmarrës nga Partia Demokratike. Mësohet se afati për dorëzimin e kandidaturës për të marrë pjesë në garë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka përfunduar zyrtarisht. Ndërsa, Komisioni i Zgjedhjeve i PD-së është mbledhur për të shqyrtuar kandidatët, sipas dokumentacionit që ata kanë dorëzuar. Pritet që lista e tyre të miratohet në ditët në vijimin në mbledhjen e opozitës. Data zyrtare që do të mbahen ‘Primaret’ është më 1 mars, sipas Edi Palokës, kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Kryedemokrati Sali Berisha nuk e ka bërë të qartë nëse rezultati do të merret parasysh për listat zgjedhore, por ka lënë të nënkuptohej se do të ketë një fazë tjetër përzgjedhjeje për të hartuar listën e 11 majit.
Primaret në vetvete përmbajnë rregulla mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet që do të mbahet konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën.
Kandidatët që duan të kualifikohen për në primare duhet gjithashtu të plotësojnë këto kritere: Të jenë aktiv në jetën publike, duke mbrojtur kurdoherë interesat, vlerat dhe parimet e PD. Kur kryetari ose sekretari i degës kandidojnë në primare për zgjedhjet e pushtetit vendor, detyrat përkatëse ushtrohen nga nënkryetari i degës në përputhje me parashikimet e Nenit 40 pika 1 të Statutit të PD; Kandidatët në primare për zgjedhjet vendore duhet të jenë personalitete publike me profil të lartë politik ose profesional, integritet dhe me ndikim shoqëror në komunitetin ku jetojnë e punojnë.
Po ashtu, ka edhe një kusht tjetër. Në të gjitha garat për primare, kandidatët zhvillojnë të paktën një debat publik për të shpalosur platformën e tyre përpara votuesve. Kandidatët mund të bien dakord edhe për debate të tjera. Rregullat e debatit, vendi dhe moderimi i tij, përcaktohet nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) në bashkëpunim me kandidatët./ZËRI