
TIRANË- Procesi i Primareve ka qenë në qendër të diskutimeve në mbledhjen e sotme të Këshillit të Partisë Demokratike. Në debatet që janë zbardhur nga "TopChannel", u zbulua se sekretari i Përgjithshëm PD-së, Flamur Noka ka bërë me dije se kandidatët për deputetë nuk do zgjidhen vetëm nga Primaret. Ai zbuloi se "ndihmë" në nxjerrjen e emrave do të japin edhe forumet që do të analizojnë angazhimin për secilin kandidat. Ndër të tjera në diskutimin e tij, Noka tha se një tjetër faktor është edhe kushti që kandidatët për deputetë të sigurojnë 300 vota të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Ish-deputeti Myslim Murrizi tha se kërkon që procesi i primareve të mos mbahet në nivel qarku siç edhe është caktuar, por në nivel kombëtar. Gjithashtu kërkoi që opozita të zgjedhje me kujdes koalicionit dhe aleatët që tashmë nuk janë më pranë tyre, duke marrë si shembull Shpëtim Idrizin. Edhe drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj tha se nuk bie dakord me datën e vendosur për primaret, pasi bie ndesh me angazhimin që kanë për votën e diasporës.
DISKUTIMET NË MBLEDHJE:
Sali Berisha: Ne arritëm të bashkoheshim. Kishim problem në grupin parlamentar, por ky bashkim u bë në betejë. Deputetët u bashkuan në mosbindje civile në Kuvend nga më të fuqishmet. Kuvendi për shumë kohë ishte epiqendra e aksionit tonë. 45 vetë ishim, por e mbajtëm peshën e qëndresës dhe të rezistencës. Arrestuan kryetarin e PD-së, të cilin nuk e arrestuan më parë se grupi parlamentar ishte i përçarë. Nuk pranova ndryshimin e emrit të Partisë kur nuk na jepnin flamurin dhe siglën tonë. Bashkimi ynë tmerroi qeverinë. Ky bashkim është shumë i rëndësishëm, është shumë i sinqertë. Unë jam i drejtë me ju. Bashkimi ishte marrëveshje xhentëlmenësh, e cila nga Sali Berisha nuk thyhet kurrë. Për këtë arsye, kur caktuam drejtuesit e qarqeve sipas një tradite 25-vjeçare të PD-së, caktuam si Belind Këlliçin ashtu edhe Gjekmarkajn, Boçin, Bardhin, etj. Besoj se kjo ishte e drejtë. Kjo përfaqësonte bashkimin tonë. Primaret thotë Statuti, por kryetarët e qarqeve jam përpjekur t’i përzgjedh persona të votuar, me eksperiencë elektorale dhe aktivitet publik. I kam caktuar të barabartë. Nuk kanë kërkuar asnjë kusht kur u bë bashkimi. Nuk mund të pranoj që ata të mos jenë Kryetarë qarku. Ju ftoj ta miratoni këtë, edhe pse ka një devijim nga Statuti.
Flamur Noka: Kemi vendosur në Kryesi t’i paraqesim Këshillit Kombëtar rregulloren. Primaret nuk do të zhvillohen në nivel dege, por qarku. U shqyrtuan të gjitha opsionet, por përzgjodhëm atë në përputhje me sistemin zgjedhor. Primaret nuk do të jenë skualifikuese, apo me votë negative. Kjo votë nuk do të ekzistojë. Primaret do të jenë kualifikuese. Do të vendoset një prag për çdo qark në bazë të numrit të anëtarëve të Partisë, të votave që janë marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare si edhe të zgjedhjeve të brendshme në Parti. Nuk do të jetë vetëm vota e primareve përcaktuese. Forumet do të analizojnë angazhimin e secilit kandidat, sikundër kontributin për votën e diasporës për të siguruar 300 vota të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Një anëtar i Partisë ka të drejtë të votojë vetëm një kandidat. Në 1 Mars data e zhvillimit të primareve.
Myslym Murrizi: Jam dakord me statutin për primaret, por duhet të jenë të hapura. Përderisa drejtuesit e degëve japin dorëheqjen, pse ndryshe do të duhet të ndodh për drejtuesit politik? Askush s’mund të na ndajë, në disa politikanë inferior e disa superior. Bëjini kombëtare primaret, është vrastare kjo formule. Aq më tepër më një votë. Mos keni frikë nga lobimi i brendshëm. Unë do hyj në primaret e Tiranës dhe dua të jem në lista te hapura. Duhet te shihni dhe koalicionet. Ku është sot Shpëtim Idrizi? Duhet të ketë kujdes përzgjedhja e aleateve.
Bujar Leskaj (Drejtuesi politik i Vlorës): Duhet të votohen edhe drejtuesit politik. Ose t’i kalojnë votimit në qark. Kryetarët e degëve nuk duhet të jepnin dorëheqje pasi ata janë zgjedhur me votë. Nuk jam dakord me datën 1 Mars për mbajtjen e primareve. Kjo pasi këtë kohë deri në 4 Mars jemi të angazhuar me votën e Diasporës.
Pavarësisht kundërshtive, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi sot rregulloren e Primareve. Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka tha se rregullorja u miratua me 10 vota kundër.
Paloka: Data 1 mars është përcaktuar me vendim të kryesisë. Pati diskutime për mbi dy orë. Me 10 vota kundër rregullorja u miratua. Kishte mendime që mund edhe të mos zhvilloheshin për shkak të kohës, të krijoheshin dhe konflikte dhe pakënaqësi, që janë diskutuar disa herë. Këto propozime u sqaruan. Doktor Berisha ka qenë i prerë që primaret të zhvilloheshin.
Kësaj here, Primaret do të bëhen në rang qarku, por kandidatët do të duhet të kalojnë një kuotë minimale të votave të demokratëve, kuotë, e cila do të caktohet nga anëtarët. Në proces nuk do të përfshihen drejtuesit politikë, të cilët do të cilësohen si ‘gardianët’ e procesit. Kandidatët që duan të kualifikohen për në primare duhet gjithashtu të plotësojnë këto kritere: Të jenë aktiv në jetën publike, duke mbrojtur kurdoherë interesat, vlerat dhe parimet e PD. Po ashtu, ka edhe një kusht tjetër. Në të gjitha garat për primare, kandidatët zhvillojnë të paktën një debat publik për të shpalosur platformën e tyre përpara votuesve. Kandidatët mund të bien dakord edhe për debate të tjera. Rregullat e debatit, vendi dhe moderimi i tij, përcaktohet nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) në bashkëpunim me kandidatët.
Por çfarë janë Primaret?
Primaret në vetvete përmbajnë rregulla mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet që do të mbahet konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën./ZËRI