
TIRANË-Komisioni për Çështjet Europiane shqyrtoi sot projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, një nismë e deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa. Partia Socialiste ka rrëzuar nismën e deputetes demokrate Ina Zhupa për menaxhimin e parqeve arkeologjike dhe trashëgimisë kulturore nga shteti. Zhupa kërkoi ndërhyrje ligjore, që fondacionet private mos të kenë kompetenca më të madha se shteti në raport me këto pasuri.
Ina Zhupa: Ky ligj krijon mundësinë që fondacionet e krijuara për të menaxhuar trashëgiminë kulturore mund të jenë me përmbajtje mazhoritare privati dhe minoritare shtetin. Pra shteti të jetë minoritar në vendosjen e të drejtave të trashëgimisë kulturore. Nisur nga Konventa e Parisit, nisur nga parimet e BE-së, nisur nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit unë kam paraqitur këto ndryshime që s’janë asgjë më shumë sesa vendosja qartësisht e faktit që, po, mund të ketë fondacione që ndihmojnë në menaxhimin e trashëgimisë kulture, por këto duhet të jenë gjithmonë fondacione publike, ku 51% të jetë shteti dhe pjesa tjetër mund të jetë privati. Minimalisht për këtë Shqipëria duhet të kishte ndërmarrë konsultime me BE-në në bazë të nenit 101, kur në BE zbatohen modele të përparuara në botë dhe bazuar në UNESCO. Kemi modelet që zbaton Italia, Greqia, Franca.
Për mazhorancën ligji aktual garanton menaxhimin e sigurt por edhe zhvillimin e duhur. Por zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa u shpreh se pretendimi se ky është thjesht një administrim i bërë nga një fondacion dhe shteti është komplet jashtë kësaj, nuk qëndron./ZËRI