
TIRANË- Kreu i qeverisë Edi Rama, ka prezantuar sot shërbëtorin digjital, një asistent virtual (AVA) që do të ndihmojë qytetarët që përdorin e-Albania. Fillimisht AVA do të jetë në versionin 1.0, vetëm në shkrim dhe më pas do të përmirësohet në versionin 2.0 me zë dhe figurë.
“Ne e dimë që në shumë raste ndodh që përdoruesit e sistemeve digjitale të kenë probleme, në Kadastër apo dhe në dokumente çfarëdo. Ambicia jonë është që këtë shërbëtor të qytetarit ta shtrimë edhe në platformën e bashkëqeverisjes, ashtu sikundër dua ta nënvizoj paraprakisht, asistenti që sot hyn në marrëdhënie me qytetarët përmes ndërveprimit me shkrim.
Po përgatitet që pas një periudhe njohje me ta, të hynë në ndërveprim edhe në zë dhe në figurë, madje mos të jetë më thjesht ndihmësi që i drejton ata, por të jetë ai që e merr shërbimin për ta. Nuk do të jetë e largët dita, brenda vitit që po hymë. Qytetari do të kërkojë shërbimin dhe të gjitha procesit që bën vetë qytetari, të jenë me ndihmë e shërbëtorit qytetar. Në fund të kësaj fjalë të shkurt”, tha kryeministri Rama.
Rama prezantoi edhe krijuesin e këtij asistenti, Eno, për të cilin tha se është koka e gjithë punës të tipit të AKSH-it për Inteligjencën Artificiale”. “Ka mbaruar studimet në një nga shkollat më të mira. Ka vendosur të vijë në Shqipëri pavarësisht ofertave të shumta atje”, tha kryeministri.
Fjalën pas tij e mori drejtuesja e AKSHI, Linda Karçanaj e cila tha se ky projekt është bërë në bashkëpunim me Microsoft. Karçanaj shtoi se pas miratimit të strategjisë për teknologjinë do të miratohet edhe rregullorja për të.
Sipas imazheve, asistenti virtual do të jetë një derivat i ChatGPT. Një shërbim i tillë mund të sjellë edhe reduktim të personave që aksesojnë e-Albania nga zyrat e noterisë me pagesë apo gjetkë, për shkak të vështirësive./ZËRI