
KOSOVË- Liridona Ademaj Murseli, 30-vjeçarja që u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, është varrosur dje në varrezat e fshatit Cërmjan. Naim Murseli, ish-këshilltari i ish-Presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli, i cili porositi vrasjen e saj, përveçse mori pjesë në funeralin e saj duke e përcjellë në banesën e fundit, mbi varr ai la edhe një kurorë me lule.
“Të kujtojnë me mall burri Naimi, si dhe djemtë” -shkruhet në mbishkrimin e kurorës me lule.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./Zëri.ai/