Politikë

“Po mbroj imazhin e vendit tim”, Rama për Corriere Della Sera: S'kam folur me Melonin

Edi Rama theksoi se ndërhyrja e tij kishte vetëm një qëllim; mbrojtja e imazhit të Shqipërisë.

k.m.
“Po mbroj imazhin e vendit tim”, Rama për Corriere Della Sera:
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Corriere Della Sera, ku ka folur për zhvillimet dhe deklaratat e fundit në lidhje me emisionin e “Report” në Rai 3. Në rrëfimin e tij për median italiane, Rama theksoi se ndërhyrja e tij kishte vetëm një qëllim; mbrojtja e imazhit të Shqipërisë. Megjithatë thekson se në lidhje me këtë çështje nuk ka folur me homologen italiane, Meloni. 

Nuk kam folur me Giorgia Melonin, sepse e imja është një betejë për të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kryeministrja juaj nuk ka asnjë lidhje me të, edhe pse vendi im u tërhoq në këtë valle si një objektiv kolateral i sulmit kundër qeverisë së saj,”- tha Rama për gazetën italiane.

Më pas, edhe njëherë, Rama sqaroi edhe rolin e sekretarit të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi duke ngulur këmbë se edhe pse ishte përgjigjur, komenti i tij për akuzat që i ishin bërë nuk ishin reflektuar askund. Ndaj edhe iu desh të ndërhynte. Tani, kreu i qeverisë shqiptare, po shpreson që të dielën të jetë vetë i ftuar në emisionin "Report" për të thënë të vërtetën e tij, por vetëm nëse transmetimi bëhet live. 

INTERVISTA E PLOTË:

Pyetje: Edi Rama, nuk ndryshuat mendje pasi protestuat te Rai për episodin e "Report" për paktin Itali-Shqipëri?

Edi Rama: Fatkeqësisht nuk mund ta fshij atë fjalë. As inteligjenca artificiale nuk mund të gjejë një tjetër që e përshkruan më mirë atë episod. Megjithatë, dua të sqaroj se nuk kam ndërhyrë. 

Pyetje: Por telefonuat Corsnin...

Edi Rama: I kam komunikuar një fakt shumë të rëndë, për të cilin në të kundërt nuk do të vihej në dijeni.

Pyetje: A ju duket e drejtë dhe normale që kryeministri i një vendi tjetër, sado miqësor, të bëjë presion në televizionin shtetëror? Partitë që kundërshtojnë qeverinë Meloni këtë fakt e quajnë skandal. 

Edi Rama: Para se të fajësojnë natyrën e fjalës sime miqtë e mi të dashur në opozitën në Itali duhet të interesohen për shkaqet dhe të përpiqen të kuptojnë se dinjiteti dhe transparenca janë të rëndësishme si për shërbimin publik italian dhe kur bëhet fjalë për Institucionet publike shqiptare dhe personat që i përfaqësojnë ato. Unë nuk kam as mjete dhe as qëllim që të imponoj diçka në punët e brendshme të vendit tuaj. Megjithatë, unë kam për detyrë të mbroj timin nga stereotipi i tmerrshëm i një epoke tjetër, të krijuar nga mediat në Itali për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Pyetje: A nuk është e vërtetë se puna në qendrat e azilit të emigrantëve është prapa me planin? Dhe se 650 milionë shpenzimet e pritura në pesë vjet janë rritur në 1 miliard?

Edi Rama: Çfarë kanë të bëjnë me ne të gjitha polemikat në shtëpinë tuaj për flukset, kostot, kontratat e kështu me radhë? Asgjë. Dhe çfarë lidhje ka fakti që sekretari i përgjithshëm i qeverisë shqiptare ishte avokat penal në Itali më shumë se dhjetë vjet më parë me paktin për emigrantët? Dhe për çfarë arsyeje të pakuptueshme duheshin thënë gënjeshtra dhe shpifje të eksportuara nga Shqipëria në Itali, për t'u hedhur si gurë shtrigave në sytë e audiencës së emisionit "Report?”.

Pyetje: Ish-avokati penal Ëngjëll Agaci, i cili dikur mbronte mafiozët dhe trafikantët shqiptarë të drogës dhe tani është sekretar i përgjithshëm i qeverisë, është njeriu kyç i protokollit apo jo?

Edi Rama: Ka pasur një furi të paarsyeshme ndaj Agacit. Pasi ai u përgjigj me email, ata vazhduan ta akuzonin se nuk kishte pranuar të përgjigjej. Ishte një zhabë shumë e madhe për t'u gëlltitur në heshtje.

Pyetje: A është për një formë kompensimi fakti që kërkuat drejtuesit të Report, Sigfrido Ranucci, një intervistë live?

Edi Rama: Nuk kam kërkuar asnjë dëmshpërblim. Të enjten kam shkëmbyer një mesazh miqësor me Ranuccin, pasi kam publikuar në X reagimin tim për fjalimin e tij në një televizion shqiptar. Ndoshta më në fund do të arrij të flas në programin e tij, pa u censuruar.

Pyetje: Meqë ra fjala, çfarë mendoni për censurën e Scuratit?

Edi Rama: Nuk i di detajet e çështjes.

Pyetje: Megjithatë, ai duhet të dijë detajet e marrëveshjes për dëbimin e emigrantëve të nënshkruar me Melonin. A do të kushtojë shumë para dhe nuk do të zgjidhë asgjë? Edhe ti kryeministër pranove se ke dyshime...

Edi Rama: Nëse nuk keni dyshime atëherë jetoni një hap larg dështimit, kjo është e gjitha.

Pyetje: Opozita akuzon Melonin se po ndjek modelin Orban, për çështjen e të drejtave civile dhe lirisë së informacionit dhe shtypit. A e kanë gabim, apo ka vërtet diçka për t'u shqetësuar?

Edi Rama: Si mund të them se kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim, nëse duke ndërhyrë në mënyrë shumë civile për një çështje shumë serioze të censurës dhe dezinformimit të lirë që prek Shqipërinë, u gjenda në mes të stuhisë italiane.

Pyetje: A keni telefonuar Melonin, para se të telefononit drejtorin Corsini? Dhe çfarë i keni thënë njëri-tjetrit?

Edi Rama: Nuk kam folur me Giorgia Melonin, sepse e imja është një betejë për të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kryeministrja juaj nuk ka asnjë lidhje me të çështje, edhe nëse vendi im u bë dëm kolateral për të sulmuar qeverinë tuaj.

Të dielën, Report në "Rai3" arriti të bënte zhurmë në të dy vendet pas një analize për marrëveshjen e emigrantëve. Sipas tyre, garanti i kësaj marrëveshje është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi. Agaçi përshkruhet në dokumentar si avokat i disa trafikantëve të drogës në Itali, ndërsa zbulohet edhe një episod i cili pas transmetimit është cilësuar si korruptiv, ai i lidhur me Fabrizio Lisin, ish-shef në Guardia di Finanzia, të cilit trafikanti shqiptar Artur Shehu i dhuroi 30 hektarë tokë buzë detit, përmes ndërmjetësimit të Agaçit. Vetë Agaçi i quan gjetjet e gazetarëve italianë shpifje, ndërsa paralajmëroi padi për programin./ZËRI

Poll

MOS HUMB