Politikë

Plani i qendrave të azilit në vendet e treta/ Rama i thotë sërish "JO" Mbretërisë së Bashkuar

Rama tha se fakti që Mbretëria e Bashkuar të donte të “kërkonte vende për të larguar emigrantët” do të kishte qenë e pakonceptueshme një dekadë më parë.

k.m.
Plani i qendrave të azilit në vendet e treta/ Rama i thotë
Edi Rama dhe Keir Stamer

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka thënë edhe njëherë "Jo-në" e tij ndaj planit të Mbretërisë së Bashkuar për të sjellë në vendin tonë azilkërkuesit e dëbuar nga vendi ishullor. në një intervistë për "The Guardian", Rama tha se fakti që Mbretëria e Bashkuar të donte të “kërkonte vende për të larguar emigrantët” do të kishte qenë e pakonceptueshme një dekadë më parë.

"Plani i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendrat e kthimit” në vendet e treta tregon se Britania pas Brexit-it është “në një vend shumë të errët”,"- tha kryeministri i Shqipërisë. E njoftuar muajin e kaluar nga kryeministri britanik Keir Starmer gjatë një vizite në shtetin ballkanik.

“Është një nga ato gjëra që 10 vjet më parë thjesht nuk do të kishte qenë e imagjinueshme… që Britania të kërkonte vende për të larguar emigrantët. Fakti që sot nuk është thjesht e imagjinueshme, por po ndodh, nuk është për shkak të Keir Starmer ose [Rishi] Sunak që po bëjnë diçka të jashtëzakonshme; është për shkak se vendi është në një zonë shumë të errët,”-tha Rama nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë.

Rama, i cili është i njohur për pikëpamjet e tij të hapura dhe kontradiktore, shprehu zhgënjim për nivelin e diskursit publik në Mbretërinë e Bashkuar. 

“Tetëdhjetë përqind e gjërave që thuhen, shkruhen ose pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që [para Brexit] do të kishin qenë krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake, krejtësisht të turpshme”, tha ai.

Nën qeveritë e mëparshme konservatore, marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë u tendosën gjithnjë e më shumë, ndaj edhe vizita e Starmer në maj – e para ndonjëherë nga një kryeministër britanik – kishte për qëllim rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Anglisë. Ndërsa ishte në Tiranë, udhëheqësi i Partisë Laburiste tha se bisedimet ishin duke u zhvilluar “me disa vende" për të ngritur qendrat e azilkërkuesëve. Në këtë moment, Rama e "qortoi" butësisht, duke shtuar se Shqipëria nuk do të merrte pjesë në këtë skemë.

Duke u përpjekur të sqaronte situatën, Rama tha se Starmer, një “person shumë i mirë [dhe] i këndshëm”, por shtoi se përgjigjia e tij do të ishte gjithmonë e njëjtë: Kam qenë i qartë për këtë që kur Boris Johnson ma kërkoi këtë gjë, edhe Rishi ma kërkoi… Gjithmonë kam thënë jo.

Fakti që Shqipëria kishte rënë dakord më parë për një skemë të ngjashme me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, ishte krejt ndryshe për shkak të marrëdhënies së veçantë që kanë vendet. Që nga dita kur regjimi brutal stalinist i Shqipërisë u shemb në vitin 1991, Italia ka qëndruar shumë pranë Shqipërisë. Këtë arsyetim dha Rama. 

“Praktikisht ne jemi një vend i përbërë nga dy vende të pavarura… Italia ka qenë aty për ne në çdo moment të errët dhe situatë të vështirë që nga dita që dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Evropës. Ne kemi një pikë të dobët për Italinë, kështu që kur Italia na kërkon diçka, ne themi po, pikë.”

Qëndrimi i Ramës përkon me një vetëbesim të rifituar, ndërsa vendi i vogël, ndër shtetet më të varfra të Evropës, bën hapa dikur të paimagjinueshëm drejt anëtarësimit në BE. Me një ndryshim dramatik të ritmit dhe tonit që ai ia atribuon "frymës së re të shtyrë nga gjeopolitika" të politikëbërësve evropianë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, negociatat e pranimit janë përshpejtuar, ndërsa Brukseli më në fund kërkon të përqafojë Ballkanin Perëndimor.  Rama, i cili mbush 60 vjeç në korrik, e zhvilloi fushatën e tij zgjedhore me premtimin se do të fuste emrin në Bashkimin Europian. Ai tani beson se negociatat do të përfundojnë deri në vitin 2027, madje shton: Deri në vitin 2030 do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian.

“E gjithë qasja ndaj procesit ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Tani ata [BE] janë shumë të etur të ecin përpara… Me agresionin rus gjithçka ndryshoi, kështu që në një farë mënyre edhe Vladimir Putin e bëri këtë, ai e bëri Evropën shumë më të interesuar për bashkim. Po ashtu, jam 100% i bindur se zgjedhja e Donald Trump është një gjë e mirë për Evropën. Mendoj se kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan për Amerikën, mendoj se ai thotë vetëm gjysmën e së vërtetës. Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan edhe për Evropën, për ta zgjuar Evropën”, tha ai.

Më vonë këtë vit, piktori shqiptar i kthyer në kryeministër do të nisë një turne falënderimi për komunitetet e diasporës të cilat, për herë të parë, patën mundësi të votonin në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke e ndihmuar atë të siguronte një fitore dërrmuese./ZËRI

Marrë nga The Guardian

Poll

MOS HUMB