
TIRANË- Sapo u bashkuan por duket se përçarja tek Rithemelimi nuk është mbushur kurrë. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka minimizuar denoncimin e bërë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Në një dalje publike në "A Show", Këlliçi nuk u shpreh aspak entuziast kur gjatë intervistës u përmbend denoncimi i Bardhit, i cili akuzon vëllain e kryeministrit Edi Rama, si pjesë të grupit të Xibrakës. Sipas tij, Bardhi vetëm sa bëri shërbim publik, me dokumenta të pakontestueshme.
"Janë të gjitha deklaratat e zotit Berisha, të bëra ndër vite. Ajo që Bardhi bëri është që dokumentoi të gjithë denoncimin që ka bërë opozita në vite të përfshirjes së vëllait të kryeministrit Edi Rama në laboratorin e kokainës në Xibrakë me dokumenta të pakontestueshme. Tani, shërbimi i madh publik u bë. U bënë transparente letrat, po u bënë. Për shkak të këtij denoncimi, sot në Bashki ka rënë rrufeja,"-tha në fjalën e tij Këlliçi.
Shërbimi i madh publik u bë që atëherë”, deklaroi Këlliçi.
Dy ditë më parë Gazment Bardhi ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për dosjen e Xibrakës, pas publikimit të të dhënave se vëllai i tij, Olsi Rama kishte përdorur të njëjtin mjet me Genci Xhixhën, kreun e grupit kriminal që dispononte një laborator të kokainës. Kuvendi nuk e përfshiu kërkesën e Bardhit për interpelancë, ndërsa Rama në reagimin e tij iu sugjeroi demokratëve që të presin përgjigjen e SPAK. Kryeministri i cilësoi akuzat e Bardhit ndaj vëllait të tij me pretendimin se ishte i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë, hipoteza haluçinante.
Ndërkohë vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, ka kallëzuar kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin. Në padinë e ngritur theksohet se faktet e paraqitura nga Bardhi, sipas Ramës, janë të pavërteta dhe janë publikuar me qëllim nga kreu i grupit të PD. Vëllai i kryeministrit kërkon regjistrimin e padisë, ku Bardhi akuzohet për “kallëzim të rremë”. /ZËRI