
TIRANË- Është shoqëruar me debate mbledhja e sotme e Konfrencës së Kryetarëve, pas refuzimit të kryeministrit Edi Rama, për të pranuar interpelancën e kërkuar nga opozita, për ccështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë. Kreu i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi, i bëri thirrje Nikollës që ta fusë këtë ccështje në rendin e ditës së seancës së radhës në Kuvend.
Bardhi- Nikollës: Kushtetuta dhe rregullorja të detyron të përfshish në rendin e ditës interpeleancën me Kryeministrin. Sot jam njoftuar publikisht nga Kryeministri, për refuzimin e interpelancës. E keni shndërruar republikën parlamentare në republikë kryeminstrie. Nuk ka tager ligjor dhe kushtetues që kryeminsitri të vendosë arsyet dhe temat e thirrjes në interpeleancë ashtu siç nuk ka tagër të refuzojë. Kjo është shkelje e hapur kushtetuese.
Lindia Nikolla: Interpelanca nuk parashikohet të zhvillohet për çështje personale.
Gazment Bardhi: Çështjet që kam ngritur ndaj Kryeministrit, nuk janë çështje personale. Nuk kam interes se si shkon ai me vëllain e tij apo pse e ka vënë në mbrojtje nga Garda dhe nga kush kërcënohet vëllai për t’u mbrojtur nga oficerët e gardës.
Bledi Çuçi: Kërkesa për interpelancë e Bardhit s’ka lidhje me veprimtarinë e Kryeministrit! Këtu jemi në Konferencë Kryetarësh, jo në mbledhje grupi parlamentar apo mbledhje partie. Përgjigjja është e qartë, s’ka lidhje me objektin e kërkesës për interpelancë që kërkon Bardhi. Nuk mund të jetë çdo tryezë për të thënë çdo gjë që na vjen në mendje. S’ka arsye të zgjatemi në këtë pikë.
Kryeministri Edi Rama bëri sot reagimin e tij të parë pas akuzave në drejtim të vëllait të tij, për lidhje me laboratorin e kokainës në Xibrakë, ku refuzoi kërkesën e opozitës për interpelancë në Kuvend.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama shkruajti se interpelanca në Kuvend kërkohet duke iu referuar vendimeve të këshillit të ministrave që lidhen me veprimtarinë e tyre dhe jo me akuza që mund të përfshijnë familjarët.
Rama tha se Gazment Bardhi duhet të presë me durim hetimet e SPAK, sa kohë që të dyja palët i janë drejtuar me kallëzim Prokurorisë së Posaçme. Kryeministri e akuzi Bardhin se po bëhet shërbëtori i Sali Berishës, pasi kjo çështje ishte paralajmëruar prej muajsh, dhe vetëm tani është denoncuar.
Pak ditë më parë, kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi Olsi Ramën si pjesë e grupit të laboratorit të kokainës në Xibrakë. Sipas Bardhit, Rama kishte lidhje dhe njohje me një prej personat kryesorë të këtij grupi, si dhe përmes sistemit TIMS është faktuar udhëtimi disa herë me të njëjtën makinë me Genci Xhixhën, Ermal Hoxhën dhe të akuzuarit e tjerë. Sipas Bardhit emri i Olsi Ramë ishte kursyer nga prokurorët e krimeve të rënda të asaj kohë, dhe për kërë opozita kërkoi në SPAK një hetim të ri për vëllanë e kryeministrit. Nga ana tjetër, edhe Olsi Rama kallëzoi në SPAK Gazment Bardhin nën akuzën e shpifjes, dhe tha se njëri prej tyre duhet të përgjigjet përpara drejtësisë në lidhje me akuzat.
/ZËRI