
TIRANË- Opozita dhe maxhoranca kanë arritur dakortësinë sa i përket rezolutës për Kosovën. Zëri.ai ka siguruar draftin final që do të votohet nesër në seancën e posaçme. Drafti është i mbështetur në tre pika kryerore:
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:
Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023;
Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;
Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.
Maxhoranca dhe opozita kanë rënë dakord që nesër Kuvendi të miratojë një Rezolutë, që parashikon mbështetjen plotësisht të një Rezolute të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023, që ka lidhje me sulmet terroriste.
Shqipëria, në këtë formë, unifikon plotësisht qëndrimin me Kosovën. Në rezolutë, thuhet se Serbia është përgjegjëse për ngjarjet e rënda në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa kërkohet hetim ndërkombëtar për çështjen.
Ku ndaheshin palët
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste fillimisht paraqiten rezoluta të ndara sa i përket sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Sipas Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha rezoluta e paraqitur nga socialistët nuk dënonte Serbinë dhe mban qëndrim të njëanshëm në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Sipas liderit demokrat kryeministri Edi Rama ka frikë të përmendë emrin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për shkak të marrëdhënies "vëllazërore". Ndërkohë për rezolutën e PD-së thotë se është më e mira, e konsultuar nga ekspertët dhe ka një qasje të drejtë. Ai shtoi se nuk do ta votonte rezolutën e të majtëve në Kuvend në seancën e 12 shtatorit.
Ndërkohë në rezolutën e PS, thuhet se prezenca e KFOR në Veri të Kosvës është "garanci për paprekshmërinë e kufinjve të saj dhe për paqen e sigurinë në rajon". Po ashtu vihet theksi tek dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e ngërçit.
Çfarë parashikon rezoluta e Kuvendit të Kosovës dhe që pritet të mbështetet nesër nga Kuvendi i Shqipërisë?
– Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;
– Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;
– Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;
– Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;
Kuvendi i Republikës së Kosovës
1. DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të
organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;
2. VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultetet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të smbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;
3. OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
4. KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;
5. INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.
6. KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike;
7. KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë./Zëri.ai/