
TIRANË- Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që pritet të kalojnë sot në Kuvend pas një dakordësie PS-PD në grupin e dialogut, janë kundërshtuar nga disa deputetë në seancën plenare. Një prej deputetëve të opozitës që kundërshtoi ndryshimet ishte dhe Bujar Leskaj, sipas të cilit në 3 vite, PD nuk ka arritur që të prodhojë asgjë për Reformën.
Bujar Leskaj, tha se këto ndryshime dëmtojnë veçanërisht opozitën, dhe sipas tij do ta kthejnë Partinë Demokratike në një kënetë.
“Nëse ne votojmë sot këtë Kod Zgjedhor, certifikojmë ndryshimet kushtetuese që bëri Rama më kërpëratat për të ndaluar koalicionet parazgjedhore. Nëse votojmë këtë kod pa lejimin e koalicioneve, shërbejmë si noterë të rëndomtë të Ramës. Sistemi zgjedhor me lista të mbyllura u vendos 16 vite më parë me argumentet se krijon stabilitet në qeverisjen e vendit dhe hiqte mundësinë e futjes në garë të personave me precedentë penalë. Këto argumente u rrëzuan pasi Rama futi në Kuvend njerëz me precedentë dhe pastaj u detyruan të bënin ligjin e dekriminalizimit”, tha Leskaj.
Sipas tij “PD nuk duhet të shndërrohet në kënetë për të pranuar kode zgjedhore që dëmtojnë opozitën. Listat e hapura inkurajojnë zhvillimin e primareve në parti. Ky kod zgjedhor do shërbejë për goditjen e demokracisë së brendshme në partitë politike. Listat e preferuara do të dëmtojnë jetën e brendshme të partive. Ju elitat, e kam për këta të PD-së, a do të deklaroni se do futeni në pjesën e dytë të listës?”. /ZËRI