
TIRANË- Ministri i Financave, Ervin Mete sqaroi edhe sot nga Foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, heqjen e tarifës për markimin e karburanteve dhe pullave fiskale.
“Projektligji që paraqitet sot për shqyrtim vjen për një qëllim specifik. Në ligjin e akcizave ka qenë e parashikuar në disa nene koncesionari që ofron shërbimin e pullave fiskale. Duke qenë se ky koncesion përfundon në 31 dhjetor të këtij viti dhe do t’i kalojë shtetit, janë bërë ndryshimet e nevojshme që si koncesionari, si edhe procedurat që lidhen me të, të hiqen nga ky ligj dhe të theksohet që pullat fiskale janë tashmë monopol shtetëror dhe Këshilli i Ministrave do të përcaktojë një person juridik publik të autorizuar për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, si dhe elementët e sigurisë së tyre, e një sërë nenesh të tjera me të njëjtin qëllim.ë dhjetor të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Financave, me urdhër të Ministrit, është ngritur një grup i gjerë pune, përfshirë edhe Avokaturën e Shtetit, për të menaxhuar procesin e daljes.
Është përcaktuar një menaxher daljeje dhe një bord për menaxhimin e këtij procesi, i cili përfundon në 31 dhjetor të këtij viti. Nga analiza e akteve ligjore ka lindur e nevojshme të ndryshohet edhe ligji i akcizave për të hequr koncesionarin dhe procedurat e koncesionarit nga ligji. Do të jetë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë personi juridik publik në pronësi të shtetit, i cili do të realizojë këtë shërbim në të ardhmen, që e ka pasur të drejtën ligjore për ofrimin e shërbimit përpara se të jepej me koncesion. Është një proces që kërkon vëmendje të dedikuar dhe proces të posaçëm në mënyrë që të realizohet në cilësinë e duhur, duke respektuar transferimin e nevojshëm të aseteve dhe të njohurive.
Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit. Në të njëjtën kohë në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit te karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, në kemi vendosur që edhe tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet. Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifes së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit,”- tha Mete.
Braçe fajësoi qeverinë Berisha, që ka lidhur këtë koncension, për të cilin sipas tij qytetarët kanë paguar deri tani 100 mln euro, dhe pas mbarimit të kontratës qeveria nuk ka marrë asgjë në dorëzim.
“Kam kërkuar KLSh që të monitoronte zbatimin e kontratave. Nuk ka fatura që të provojnë investimin. Dhe 66 % e velerës së investimit parashikuar në kontratë është deklaruar si e kryer. Pra pasi na kanë marrë 55 milionë euro tani nuk po na lënë asgjë, sepse markimi I karburantit bëhej me dorë e shkundje të autobotit dhe ne nuk kemi asgjë për të marrë në dorëzim.
E njëjta histori është dhe tek pullat fiskale. Ka pasur detyrimin kontraktual të ndërtonte një sistem gjurmimi që të dinim që mallin e akcizës që është markuar me pullë ku shkon e ta kontrollonim qarkullimin e tij. Asnjëra as tjetra nuk ka ndodhur. Ama ka ndodhur që qytetarët kanë paguar 100 mln euro për koncesione. Të dyja këto koncesione mbarojnë këtu e merren përsipër nga qeveria. Sic kishim thënë në 2012, që janë shërbime që duhet të ofrohen nga qeveria sa kohë që kanë të bëjnë me mirëadministrimin e produkteve të akcizës dhe karburantit e përfitues të ishte qeveria. Për markimin nuk do të ketë më kosto për litër, kurse për pullat fiskale do të ketë zbritje të çmimit.
Që ka 2012 deri dje ka qenë pulla më e shtrenjtë e aplikuar në të gjithë botën. Patjetër që shërbimi duhet të modernizohet. Të shkojmë drejt një pulle dixhitale që të jetë më pak e kushtueshme dhe më e kontrollueshme”, u shpreh Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend./ZËRI