
TIRANË- Një debat është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në sallën e Kuvendit mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe anëtarit të Këshillit Drejtues të RadioTelevizionit Shqiptar. Ëngjëll Ndocaj po i përgjigjej pyetjeve të deputetes Ina Zhupa lidhur me situatën e shkarkimeve dhe veprimtarinë e RTSH për vitin 2023, kur u ndërpre nga demokratja. E gjitha ndodhi pasi Ndocaj nuk iu përgjigj pyetjes së Zhupës nëse Këshilli Drejtues mund të shkarkojë drejtuesin Alfred Peza. Ky i fundit, me statusin e RTSH në dorë u shpreh se për shkak të tij nuk mund të vepronte, e më pas la pa përgjigje pyetjen për shkarkimet e punonjësve gjë që shkaktoi debati. Duke ndërhyrë nga vendi, deputetët Ina Zhupa e Gazment Bardhi nuk e lejuan Ndocajn që të flasë, duke bërë që nënkryetarja Ermonela Felaj, pas disa herëve që u tërhoqi vëmendjen, të caktonte 5 minuta pushim.
DEBATI PËR SHKARKIMET NË RTSH:
Anëtari i Këshillit Drejtues të RTSH, Ëngjëll Ndocaj: Ky status prish punë sepse nuk është aktual.
Zhupa: Problem është drejtori...
Ndocaj: Po unë ju dëgjova, po ju shpjegoj.
Felaj: Nuk ndërhyni dot sepse kjo seancë është publike.
Bardhi: Duam përgjigjet, përallat atje.
Ndocaj: Nuk më takon mua të ma thuash këtë, fjalën përrallë mua jo!
Bardhi: Atëherë jep përgjigjet!
Ndocaj: Pse po e përmend këtë libër? Sepse ky libër mua më pengon. Më pengon për shumë gjëra. Nuk shkarkon unë...
Felaj: Ju tërheq vëmendjen zoti Bardhi dhe zonja Zhupa.
Bardhi: Na tregon ti ne...na fik mikrofonin.
Felaj: Bëj edhe më shumë se aq!
Bardhi: Po hë njëherë na trego! Muhabet kot tani, më shumë se aq, më pak se aq...Çfarë po i bëjmë? Po i themi e shkarkon dot apo jo drejtorin?
Felaj: Vijoni përgjigjet mos ia vini re debatit që zhvillohet në sallë. Vetëm ju dëgjoheni.
Ndocaj: Me gjithë respektin që kam për ju dhe për veten, unë do të them atë që di unë. Nëse unë i kam gabim të gjitha, pastaj gjykoni. Fjala punësime të paligjshme...Nëse është shkelur ligji tek punësimet e paligjshme. Të gjithë kanë të drejtë të denoncojnë dhe do na ndihmonin edhe ne. Do të shpjegoj pak problemin e të drejtave ekskluzive.
Zhupa: I mbarove shkarkimet? Kaq ishin? Mos hajdeni fare të raportoni këtu...
Felaj: Nuk e prishni dot këtë seancë me pyetjet që bëni. Ju dha e drejta, tani lejoni të ftuarin të japë përgjigje. Nuk ka logjikë tjetër kur dikush nuk dëshiron të dëgjojë përgjigjet e pyetjeve. Ju lutem tani. Nuk ka nevojë që të bëjmë debate nga salla.
Bardhi: Që do të thotë bën pyetje dhe merr përgjigje.
Felaj: Që do të thotë që mos flasësh nga vendi si sufler siç e ke zakon.
Bardhi: Unë flas sa herë më do qejfi.
Resulaj: Po hë se është gjithë ai figurë.
Bardhi: Po ti nuk e njeh fare, na tregon tani...figura thotë. Ti nuk nuk e njeh fare. Hë kush është ai?
Ndocaj: A mund të vijoj sipas një radhe që kam këtu? Po mirë po ju qeshni...
Felaj: Po aq edukatë kanë...Zoti Bardhi kjo po iu bën qesharak! Duhet të t'i kishin mësuar këto rregulla para se të vinit në Kuvend. Zonjë ty dhe zotit Bardhi ju tërheq vërejtje. Kini parasysh se mund t'ju heq edhe të drejtën për këtë seancë.
Bardhi: Bëj edukatorën na mëso njëherë...na e trego!/ZËRI