
TIRANË- Pas disa mbledhjeve të dështuara, për shkak të bojkotit të deputetëve të mazhorancës, rikthehet sot Komisioni Hetimor Parlamentar për koncensionet në sektorin e shëndetësisë. Mbledhja do të nisë në orën 13:00, ku opozita dhe mazhoranca pritet që të diskutojnë në lidhje me planin paraprak të hetimit, dhe kërkesat që do të dërgojnë për të marrë informacion nga institucionet.
Mazhoranca do të propozojë përfshirjen në planin e hetimit parlamentar të vizitave në terren për të parë nga afër sesi janë zbatuar kontratat: ajo e check-upet dhe sterilizimit, si dhe intervista të ndryshme me stafin dhe pacientët.
Struktura organizative e Planit Hetimor ka 7 hapa si më poshtë.
Hapi 1: Përcaktimi i Qëllimeve dhe Objektivave të Hetimit
Hapi 2: Përcaktimi i Kufijve dhe Juridiksionit të Hetimit
Hapi 3: Strukturimi i Ekipit Hetimor
Hapi 4: Planifikimi i Procesit të Mbledhjes së provave
Hapi 5: Seanca të Dëgjimit dhe Analizë
Hapi 6: Raportimi dhe Rekomandimet
Hapi 7: Ndërmarrja e Veprimeve të Mëtejshme
Drafti i ekspertëve të mazhorancës ka të përcaktuar qartë edhe kalendarizimin e Planit Hetimor duke iu përmbajtur afatit 4 mujor të miratuar nga Kuvendi./ZËRI