
DURRËS- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar këtë të hënë një takim me drejtuesit e PL-së në Durrës në lidhje me organizimin e Konventës Kombëtare, e cila do të mbahet më 27 Prill në Tiranë. Gjatë fjalës së tij Meta nuk kurseu kritikat ndaj bashkëpunëtorëve, por nuk munguan as “thumbat” për ish-aleatët, që sipas Metës, marrin shumë pak “like” në rrjetet sociale. Ndërsa krah tij u pa dhe Elona Guri, për të cilën flitej se kishte mosmarrëveshje.
Ilir Meta: Kam dëgjuar që Ilir Meta është bërë diktator kohët e fundit. Këtë e kam dëgjuar nga njerëz që kanë patur mbështetjen time për t’u promovuar, por për fat të keq kur ata bëjnë ndonjë postim nuk kanë as 20 like, kur secili duhet të kishte 3-4 mijë qytetarë që të komunikojnë sic komunikon Ilir Meta që i jep numrin edhe Çimit të Rrogozhinës. President do ma japësh numrin tha, ta jep Presidenti ty. Unë kam parë arrogancë në pushtet, por arrogancë nga opozita, vetëm këto vite e kam parë. Mesa duket disa persona në opozitë ndihen komodë aty dhe duke bërë ndonjë flirt me bashkinë këtu e atje, me qeverinë e drejtorë dhe duke bërë dopio lojëra. Ne kemi nevojë për njerëz me karakter.
Sipas Metës, opozita ka qenë e “shpartalluar” dhe se tani është momenti për tu përballur me qeverinë. I rikthyer sërish tek vetja, kreu I PL-së tha se më fund ka shpëtuar nga “rrethimi” i vogël ku e kishin futur “tradhtarët” brenda partisë së tij dhe pse nuk foli me emra.
Ilir Meta: Konventa jonë do t’i japi përgjigjen e merituar kapjes së shtetit duke i dhënë një fuqi të jashtëzakonshme Partisë së Lirisë. Ilir Meta ka dalë nga rrethimi i vogël dhe së bashku me të gjithë ju, do të vendosim njëherë e përgjithmonë bazat shumë të fuqishme të organizimit tonë të hekurt. Ne kemi qenë një opozitë e shpartalluar dhe e çorganizuar dhe me 27 prill fillon beteja jonë me shpejtësi marramendëse që do të përmbysë regjimin./ZËRI