
TIRANË- Me emër të ri ose jo, Sali Berisha nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga drejtimi i një prej fraksioneve në Partinë Demokratike, ndoshta më i madhi, por edhe jozyrtari, sa kohë që vula është një çështje që do të vendoset në dyert e gjykatave. I pyetur në lidhje me diskutimet që janë bërë në mbledhjen me deputetët e tij, por edhe mundësinë që të krijohet një parti e re, Berisha tha se ato janë normale që të bëhen, por lufta e tij kryesore është ajo me Edi Ramën.
“Së pari, çdo deputet pa përjashtim ka të drejtë dhe ka tagër të diskutojë për PD-në. Kjo është gjëja më normale. Së dyti, dua të jem i hapur me ju, jo vetëm në atë mbledhje, por edhe në disa mbledhje të tjera, ekzistojnë mendime që përkarshi bllokimit, plaçkitjes së vulës dhe logos nga Edi Rama, PD mund të gjejë modalitete të tjera ligjore.
Gjë e cila është normale si diskutim, por mendimi im është ky se para një padrejtësie, njeriu nuk tërhiqet. Ne do bëjmë një luftë deri në fund me Edi Ramën, i cili pa diskutim kërkon të mbajë peng logon tonë me Lul Pengun dhe Alibashën. Por e drejta është me ne. Dhe ju e shihni, ligji është taksativ që Gjykata e Lartë duhej ta kthente përgjigjen brenda 29 ose 30 ditësh dhe kjo është e prerë.
Por Gjykata e Lartë, e kontrolluar nga Sadushi i partisë, e mban aty vetëm e vetëm për të penguar dërgimin tonë në Strasburg. Sepse nuk ka proces më të padrejtë. A e dini ju, shikoni sa interesante është, gjykatësja Sadushi, Petra quhet në mos gaboj, njeh Enkelejd Alibeajn kryetar. E kuptoni ju? Po, është e sigurt, keni vendimin. Gjykatësi tjetër thotë jo, është Lulzim Basha, nuk ka dhënë dorëheqjen.
Pra, në vend se ta marrë Lulzim Bashën dhe ta çojë atje ku e ka vendin për mashtrim publik, se minimumi është mashtrim publik, se ka kryer mashtrim publik se thotë se nuk e ka sjellë me shkrim. Është mashtrim publik ky, ai dënohet gjer në 5 vite burg. Kur një personalitet publik përdor pushtetin e tij për të kryer një mashtrim publik, në gjithë botën ai shkon atje ku e ka vendin.
Kurse këtu, siç don Edi Rama. Këtu gjykatësit vendosin një herë që nuk është kryetar. Herën tjetër u thotë Edi Rama se këtë do e quash kryetar. E kuptoni çfarë drejtësie? Nuk ka drejtësi këtu, është në kontroll të plotë.
Këto janë dy vendime të kundërta. Jo, thotë është kryetar Lulzim Basha se nuk e kam me shkrim dorëheqjen e tij. Nuk e ke dorëheqjen e tij, merre të pandehur për mashtrim publik. Ç’të hysh në këta, janë një kalbësirë”, u shpreh Berisha, ndërkohë që foli dhe për një Kuvend që do të mbahet në muajin Nëntor, për votëbesimin e kryetarit. Statuti i miratuar nga Rithemelimi, parashikon që në rast se humben zgjedhjet lokale, kryetari të kalojë në votëbesi, dhe kjo do të ndodhë edhe me Berishën. Por ish-kryeministri nuk përjashtoi mundësinë që në këtë Kuvend të trajtohen edhe çështje të tjera, të cilat nuk i bëri me dije.
“Deputetët e bashkuar rishtas janë të gjithë anëtarë të Këshillit Kombëtar, njihen me statut. Së dyti, ky Kuvend, sipas statutit mblidhet për votëbesimin e kryetarit. Por a do ketë procese të tjera, këtë nuk mund ta them. Pra, statuti parashikon se kryetari votëbesohet në Kuvendin e partisë”, tha Berisha, ndërkohë që foli dhe për rikthimin e tij si një realitet jashtëzakonisht të veçantë, duke e krahasuar madje dhe me formën e mirë në të cilën është sot Kombëtarja Shqiptare e Futbollit.
“Sali Berisha nuk e ka fshehur kurrë, përkundrazi i ka qëndruar me vendosmërinë më të madhe një akti, që ka në bazë nga alfa në omega, korrupsionin transnacional. Se çfarë kërkon X apo Y, njëri apo tjetri, secili i ka rrugët e hapura për të ndjekur çdo procedurë që do. Kurse unë ndjek në mënyrë transparente ato që kam deklaruar.
Rikthimi i Sali Berishës është një realitet jashtëzakonisht i veçantë. Gëzohem shumë që po rikthehet edhe kombëtarja jonë. Rikthimet janë rigjallërime. Por, askujt nuk i mohohet e drejta të ketë qëndrimin e vet. Të kërkojë procedurën që do e me radhë. Është PD kjo, parti e mendimit të lire”, u shpreh Berisha, i cili foli më tej për nevojën e një lëvizje mbarëpopullore, që ti prijë frontit opozitar.
Në mbledhjen e grupit Parlamentar të PD-së, zhvilluar të martën e 10 tetorit, deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka propozuar që themelohet një parti e re, ose t’i ndryshohet emri Partisë Demokratike, duke u shtuar se nuk mund të mbeten peng i vendimit të Gjykatës. Burime për “Zëri.ai” nga mbledhja kanë bërë me dije se parimisht kryedemokrati Sali Berisha është shprehur kundër por ka lënë të hapur mundësinë e diskutimit në një mbledhje tjetër. Kjo pasi sipas Berishës, në mbledhjen e 10 tetorit ishin mbledhur për të diskutuar lidhur me rezolutën që do të përpilonin për tensionet në Veri të Kosovës./Zëri.ai