
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të pandehurin Kristo Çollaku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe të pandehurin Gjergji Butka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.
Ata akuzohet se kanë ofruar para në zgjedhjet e vitit 2021, që votuesit të zgjidhnin deputet të qarkut të Korçës nga radhët e Partisë Demokratike Bledion Nallbatin. Ky i fundit është sot pjesë e Kuvendit, ndërkohë që asokohe në zgjedhje mbante numrin 4 në listën shumëemërore të deputetëve.
Ky procedim penal është regjistruar më datë 10.07.2023, pas shpalljes së moskompetencës lëndore dhe dërgimit të akteve nga ana e Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshme, Elbasan.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar e provuar sipas SPAK që i pandehuri Kristo Çollaku, i ka ofruar të pandehurit Gjergji Butka një shumë monetare e cila është pranuar nga ky i fundit me qëllim për të votuar për emrin e Nallbatit./Zëri.ai