
TIRANË- Zbardhja e komunikimeve në ‘SkyECC’ ka zbardhur gjithë çfarë ka ndodhur në Durrës para, gjatë dhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Mësohet se tashmë ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja kishte paguar për të qenë në listë të sigurtë, në mënyrë që të ulej në Kuvendin e Shqipërisë si deputeti i qarkut të Durrësit. Se kë ka paguar dhe si është bërë marrëveshja, kjo pritet që të zbulohet në orët në vijim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu është zbuluar se kunati i ish-deputetit socialist, Ahmet Masha ka blerë vota për Jurgis Çyrbjen në fushatën e vitit 2021.
Duke qenë se Lefter Koka hoqi dorë nga mandati pa e bërë fare betimin në Kuvend, Çyrbja u "shpall" si deputeti i tretë më i votuar në Durrës pas kryeministrit Edi Rama dhe Rrahman Rrajës. Edhe ky i fundit ka dhënë dorëheqjen nga mandati për shkak të historikut kriminal që ka familja e tij në qarkun e Durrësit. Djali, nipat, i vëllai dhe familjarë të tjerë të ish-deputetit kanë qenë gjithmonë në vëmendje të kronikës së zezë duke u akuzuar e dënuar për vrasje, dhunim dhe trafik droge.
SPAK nuk ka dalë ende me një njoftim të plotë lidhur me aksionin, por mësohet se janë lëshuar edhe urdhërarreste të tjerë. Por se për kë bëhet fjalë...ende nuk ka asnjë informacion./ZËRI