Politikë

Arrestimi i Çyrbjas shkakton debate tek "Sterilizimi"/ Vokshi-Ndrecës: Po ti si do shkosh në SPAK?

Debati u përshkallëzua shumë shpejt në një përplasje mes Albana Vokshit, Plarent Ndrecës dhe Petro Koçit.

k.m.
Arrestimi i Çyrbjas shkakton debate tek "Sterilizimi"/
Pamje nga Komisioni

TIRANË- Edhe pse nuk është çështje në rendin e ditës, sërish arrestimi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka ngjallur debate në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë. Debati u përshkallëzua shumë shpejt në një përplasje mes Albana Vokshit, Plarent Ndrecës dhe Petro Koçit. Teksa nënkryetari akuzoi deputeten e PD-së për pengim të punimeve të Komisionit, Vokshi i përmendi faktin se “kishte hall të madh” dhe se do shkonte në SPAK. Teksa të dy replikonin, ndërhyri Koçi, i cili e akuzoi demokraten se “ka ndarë puset e naftës me miqtë e saj”. Akuzave të Koçit, Vokshi iu përgjigj me të qeshura dhe ironi.

DEBATI I PLOTË NË KOMISION:

Ndreca: Nëse ka një palë që ka tentuar ta pengojë punën e Komisionit jeni ju. Pavarësisht tendencave për të ndikuar tek organe që janë jashtë kësaj salle, unë i kam të qarta se çfarë do bëni dhe qëllimet tuaja. Ne kemi ruajtur qetësinë edhe pse na janë shkulur mikrofonat, edhe pse jemi prekur fizikisht. Akoma nuk ke kuptuar se nuk intimidon dot njeri. Keni ardhur për mbledhje apo për të bërë akuza? Po thoja që nëse ka pengesë jeni ju, me sjelljen dhe intimidimin që tentoni të bënë. Vetëm se të kam në krahë, por nuk ma ndjen hiç për ato që thua. Jeni dy veta dhe shikoni çfarë bëni...

Vokshi: Në SPAK do shkosh me këmbët e tua apo me avokatin?

Ndreca: Kryetari yt si do të shkojë? Ne nuk e konsiderojmë SPAK, organizatë kriminale siç e quani ju. Tani keni ardhur për Komision apo...? Ja pse nuk bëhet Komisioni, ju nuk i lini njerëzit të flasin. E gjithë procedura që kemi ndjekur është ligjore. Ne nuk përshtatemi dot me politikat e opozitës.

Vokshi: Ke hall të madh, s’ta zgjidh dot ky Komision. Me kapele pa kapele me prona pa prona, nuk ta zgjidhim dot.

Ndreca: Se çfarë halli kam unë, lëre hallin tim por shiko hallin tënd, por do e shohësh se çfarë halli kam unë. Mos u shqetëso për veten, por për Partinë Demokratike.

Petro Koçi: Ti ke ndarë puset e naftës me miqtë e tu.

Vokshi: Mos u mundo, rri aty.

Petro Koçi: Nuk jam raca jote politike, ta dish ti. More vesh.

Vokshi: Ne nuk jemi me bandat. Nuk jemi me kriminelët. Shko tek ai pallati, ku ke bërë fushatën. Një pallat një votë. Imagjinoje çfarë deputeti je ti (i drejtohet Petro Koçit).

Ndreca: Zonjë, nuk intimidon njeri. Jeni të pabesueshëm. Nuk e ke kuptuar që s’e intimidon dot mazhorancën.

Vokshi: Ti ke hall të madh se do shkosh në SPAK. Hall ka ai që është në kryen tuaj. Shiko hallin e Surrelit, se aty bëhen listat!

Ndreca: Të shkuarit në SPAK për mua nuk përbën problem fare. Nuk të japim llogari ty, por më lër ta shpjegoj. Nëse ka pengesë për komisionin jeni ju, me sjelljen, intimidimin dhe presionin që bën. S’ma ndjen fare se çfarë thua ti, vetëm se të kam në krah, por nuk ma ndjen hiç se çfarë thuaj ti. Keni bërë dakordësi, me shkresë. Ju s’lini njeri me fol./ZËRI

Poll

MOS HUMB