
TIRANË- Komisioni hetimor për Shëndetësinë, Sterilizimin dhe Check Up ka nisur sërish me debate. Në nisje të mbledhjes së sotme, kryetarja e Komisionit Parlamentar, Albana Vokshi pretendoi se mbledhjet janë të paligjshme pa prezencën e opozitës. Teksa PS ka njoftuar marrjen e dëshmive të fundit, ku pritej mbyllja e Komisionit hetimor ditën e nesërme me dëshminë e ish-ministrit Ilir Beqja, Vokshi u shpreh kundër, duke kërkuar shtyrjen e afatit të vendosur në Kuvend. Sipas saj, në Komision duhet patjetër që të merret edhe dëshmia e kryeministrit Edi Rama.
"Ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshmuar edhe Edi Rama,”-tha Vokshi.
FJALA E PLOTË:
Albana Vokshi: Shkeljet janë të panumërta. Ky Komision nuk po kryen më funksionin që duhet që të kryejë. Maxhoranca ka rrëmbyer komisionin, praktikisht pra është uzurpuar ky komision. Unë e kuptoj që keni marrë urdhër që ta dështoni dhe ta zhbëni këtë Komision. Ne kemi fakte mjaftueshëm, do të nxjerrim të dhëna dhe fakte për korrupsionin. Edhe mbledhja e sotme është thirrur në shkelje me rregullat e Komisionit. Jeni bërë shumë arrogantë por jam e sigurtë që është frika arsyeja pse po tentoni që të uzurponi komisionin. Në listën e dëshmitarëve janë edhe shumë persona të tjerë. Ka edhe shumë dëshmitarë të tjerë. Çfarë doni të bëni? Pse kështu bëhen mbledhjet e Komisionit? Stafi i sigurisë nuk i përgjigjet opozitës, si vini kështu pa orare? Bëhemi pak seriozë nga ana formale. Ka një përgatitje, bëhen pyetje. Nuk ka ndodhur kurrë në 33 vite. E di që halli juaj është shumë i madh, por nuk e zgjidh dot Komisioni. Kush është i pari që hyn sot në sallë? Nuk kemi as anëtarët e Komisionit, e konsideroni të ligjshme ju? 78% e anëtarëve të opozitës janë përjashtuar qëllimshëm nga ky komision. Tani duhet të ishte Albana Koçiu këtu, ku është? Nuk e bëjmë dot han me 2 porta. Nuk e kuptoj dhe nuk e imagjinoj dot se kemi arritur deri këtu. E keni uzurpuar. Si do e mbyllni këtë Komision? Mendoni që do e kaloni kështu, jo mo këtu duhet të vijë Edi Rama. E kemi kërkuar Edi Ramën. Opozita ka kërkuar që të vijë Edi Rama. Nuk mbyllet pa ardhur Edi Rama në këtë Komision. Opozita ka qenë prezente në çdo mbledhje. Ky Komision nuk mbyllet dot, se kemi një listë të paezauuar. Ju bëj thirrje që të rishikojmë planin dhe listën e dëshmitarëve dhe të vijojmë ashtu siç duhet. Hajde zbatojmë rregulloren. Vetëm kushtetueshmëri po iu kërkojmë./ZËRI