Politikë

Mungoi dëshmitari, shtyhet seanca e Belerit në GJKKO: Po shkelni Kushtetutën! (Tensione në sallë)

Pavarësusht se sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ai ka hyrë në Shqipëri, konkretisht më datë 23 tetor ai nuk gjendet. 

e.k d.xh
Mungoi dëshmitari, shtyhet seanca e Belerit në GJKKO: Po shkelni
Fredi Beleri

TIRANË-Është shtyrë sërish këtë të mërkurë seanca gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e dëshmitarit Avdyl Rama në sallë (Vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë Arsen Rama). Pavarësusht se sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ai ka hyrë në Shqipëri, konkretisht më datë 23 tetor ai nuk gjendet. 

Tensione në sallë

Ashtu si dhe seanca e shkuar dhe këtë të mërkurë pati tensione mes akuzës dhe mbrotjes së Belerit në sallën e gjyqit. Në debat është përfshirë dhe vetë Fredi Beleri, i cili ka akuzuar trupën gjykuese se po shkel Kushtetutën. Ai i është drejtuar kryesusit të seancës Erion Çelës se po shkel Kushtetutën.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës shprehet se pavarësisht se ka kërkuar seancë të hapur kjo nuk po bëhet. I ndalur tek incidenti me makinën e Arsen Ramës, së cilës iu vu flaka në Vlorë, Beleri thotë se ai dhe njerëz të lidhur me të s'lanë asnjë lidhje. 

Debati në seancën gjyqësore:

Fredi Beleri: Keni shkelur kushtetutën me dëshmitarin Arsen Rama. Keni ndikuar ju si kryesues. Pse u bë seanca me dyer të mbyllura. Ajo që i ka ndodhur me automjetin atij, nuk do të thotë se i rrezikohet jeta. Dëmtimi i automjetit është bërë nga persona të tjerë që nuk kanë lidhje me mua. Në seancën e kaluar prokuroria nuk u shqetësua që dëshmitari gënjeu. Ai (Arsen Rama) nuk ka mundësuar që ne të pyesim e të marrim përgjigje të sakta. Ju si kryesues nuk keni mbajtur qëndrim të drejtë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Arsen Rama.

Erion Çela, kryesues i trupës gjykueseAvdyl Rama, vëllai i Arsen Ramës ndodhet jashtë shtetit. Sipas sistemit Tims dhe sipas familjarëve të tij ndodhet jashtë shtetit.

Prokurorja Dorina Bejko: Në TIMS Avdyl Rama rezulton se ka dalë jashtë shtetit me datë 27/11/2023. Konstatohet se prezent në sallë sallë janë dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtja.

Avokati Edmond DemaHeqim dorë dorë nga dëshmia e dëshmitarëve Marin Suli e Vangjel Dule, sepse nuk kanë lidhje me çështjen” (pranohet nga togat e zeza).

Deklarata e plotë e Fredi Belerit:

Së pari: Pranuat kërkesën e prokurorisë, për pyetjen e dëshmitarit Arsen Rama me dyer të mbyllura, në shkelje të hapur të nenit 340 të Kodit të Procedurës Penale, duke u shkelur kështu Kushtetuta, që parashikon që seancat gjyqësore janë publike. Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë që cënohej siguria e dëshmitarit Arsen Rama. Pretendimet e prokurorisë, se diku në muajin qershor, të dashurës së shtetasit Arsen Rama, në rrugë publike, në Vlorë, i kanë gërvishtur automjetin, nuk provon që siguria e dëshmitarit është në rrezik. Maksimumi, e dashura e shtetasit Arsen Rama, që nuk është as subjekt as objekt në këtë gjykim, mund të ketë ndonjë mosmarrëveshje me servisin, apo me ndonjë automjet tjetër të cilit mund t`i kishte zënë parkimin apo rrugën, etj.

Po ta kishte marrë seriozisht këtë rrezik Prokuroria do të kishte vijuar me sigurimin e provës së dëshmitarit, apo do të kishte marrë masa për mbrojtjen e tij, sipas ligjeve të posaçme, gjë që nuk ka ndodhur. Prokuroria nuk e mbrojti dëshmitarin jashtë sallës së gjyqit për disa muaj, por kërkoi nga Ju që ta mbroni në sallën e gjyqit, dhe kjo kërkesë ndonëse e pabazuar nuk u vu në dyshim nga ana Juaj, duke më cënuar të drejtën e seancës gjyqësore publike. Gjykata e Posaçme u vu jo vetëm në mbrojtje të shtetasit Arsen Rama por edhe të të dashurës së tij, I referohem në këtë cilësim deklarimeve që ky shtetas dhe e dashura e tij kanë dhënë ditën që kanë konstatuar gërvishtjen e automjetit në rrugë.

Po ashtu pranuat kërkesën e prokurorisë për të kundërshtuar thëniet e dëshmitarit Arsen Rama, që ishte dëshmitari i prokurorisë, me dy procesverbale, ku nuk kishte asnjë thënie për ato që donte prokuroria të kundërshtonte. Mjaft që e kërkoi prokuroria, dhe prej Jush, pranohet çdo kërkesë.

Së dyti: Siç jam njoftuar, bazuar në nenin 341 të Kodit të Procedurës Penale, drejtimi i seancës gjyqësore bëhet nga Kryetari i trupit gjykues, i cili disponon me anë të urdhërave, të cilët sipas nenit 112 të Kodit të Procedurës Penale duhet të arsyetohen. Seancën e kaluar, gjatë pyetjes së dëshmitarit Arsen Rama, ndërhyrjet Tuaja, përveçse të paarsyetuara, nuk kanë qënë bazuar në nenin 361/6 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “Gjatë pyetjes së dëshmitarit kryetari mund të bëjë pyetje dhe, kur është rasti, ndërhyn për të siguruar radhën e pyetjeve, vërtetësinë e përgjigjeve, saktësinë e pyetjeve dhe të kundërshtimeve, si dhe për të garantuar respektimin e personit”.

Sipas ligjit, Ju, me cilësinë e Kryetarit, mund të ndërhyni, kur dëshmitari pyetet nga pala që ka kërkuar pyetjen, që në rastin konkret ishte prokuroria, për të penguar pyetjet sugjestive. Prokuroria bëri shumë pyetje të tilla, por nga ana Juaj nuk u bë asnjë ndërhyrje. Ndërkohë, gjatë pyetjeve të mbrojtjes, sipas ligjit Ju mund të ndërhyni, vetëm për të siguruar vërtetësinë e përgjigjeve, saktësinë e pyetjeve dhe garantimin e respektimit të personit që po pyetej. Ndërhyrjet tuaja nuk kanë qënë në asnjë rast të natyrës që ligji Ju ka njohur, por keni penguar mbrojtësit të bëjnë pyetjet që kanë vlerësuar, shpesh duke penguar dëshmitarin të përgjigjet, ose keni dhënë Ju përgjigjen. Duke qënë se me mënyrën e drejtimit të seancës së kaluar, nga ana Juaj, është kufizuar e drejta ime për t`u mbrojtur sipas vlerësimit tim, bëj këtë deklaratë, në ushtrim të të drejtave të mia sipas nenit 358 të Kodit të Procedurës Penale.

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik.  Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë.

Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instanca të ndryshme ndërkombëtare.

Ndërsa qeveria shqiptare pretendon se çështja nuk është politike, por është e gjitha e drejtësisë. Kryeministri i vendit Edi Rama ka deklaruar se ishte sistemi gjyqësor ai që u mor me Belerin e jo maxhoranca, ndërsa shtoi se Shqipëria respekton të drejtat e minoritetit./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB