
TIRANË- Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike zyrtare, i është përgjigjur deklaratave që bëri sot kryeministri Edi Rama, në asamblenë kombëtare të PS-së, e cila u mbajt sot në Durrës.
Teksa vijoi ta cilësojë "pazar të pastër", marrëveshjen e arritur mes socialistëve dhe demokratëve të Rithemelimit, Lulzim Basha i kujtoi kryesocialistit, se kur s'i duhet e quan Sali Berishën "non grata" dhe kur i duhet, e thërret si partner, duke iu referuar situatave të fundit.
Sipas Bashës, "pazari" mes PS-së dhe Rithemelimit është bërë për të ruajtur ndryshimet kushtetuese në vitin 2008, por jo vetëm. Si pika të tjera të përbashkëta mes socialistëve dhe kolegëve të tij nga Rithemelimi, Basha sheh interesin për të zhbërë ligjin e dekriminalizimit dhe për t'i bërë presion drejtësisë së re.
“Nuk është marrëveshje për anëtarësimin në BE, por është pazar i pastër mes rrangallave të vjetra të tranzicionit, që duan të mbajnë peng Shqipërinë, duke ruajtur monopolin e sistemit, sepse vetëm ashtu mund të mbajnë njëri-tjetrin, sipas lojës 35-vjeçare, që i yti mishin ta ha, por kockën ta ruan.
Sot nuk ka shqiptar që beson përrallat e Edi Ramës, i cili një ditë i quan idiotë ata që akuzojnë se po bën pazar, ndërsa të nesërmen vetë zyrtarizon pazarin me Sali Berishën, të cilin, kur s’i duhet e quan “Non grata”, ndërsa kur i hyn në punë, e quan partner për jetën parlamentare.
Pazari për të mbrojtur plaçkën e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 është i qartë, por përveç kësaj, së bashku ata duan edhe të zhbëjnë ligjin e dekriminalizimit, duke i hapur rrugë personave me precedentë penal dhe zyrtarëve të dënuar për korrupsion, që të kenë mundësi të kandidojnë në zgjedhjet e radhës. Edi Rama ka treguar se pa bashkëpunim me krimin e organizuar nuk mund të fitojë dot.
Ashtu sikurse të dy janë të interesuar për t’i bërë presion drejtësisë së re, e cila ka premtuar se nuk do të kursejë askënd, pavarësisht hierarkisë apo pozicionit të lartë shtetëror.
Partia Demokratike është e vendosur për një koalicion të gjerë me qytetarët dhe me të gjithë faktorët politikë që duan një Shqipëri të njerëzve dhe për njerëzit kundër kastës së vjetër 35-vjeçare të dinosaurëve të korrupsionit”, thotë Basha në deklaratën e tij.
/ZËRI