
TIRANË- Një orë përpara nisjes së seancës plenare, Gazment Bardhi ka mbledhur grupin parlamentar të PD-së në seli, ku do të dakordësohen në lidhje me qëndrimet që do të mbajnë në seancën e sotme.
Mbledhja ishte parashikuar që të mbahej ditën e djeshme, por u shty, për shkak se deputetët dhe eksponentët e lartë të PD-së ishin dje në mesditë përpara SPAK, në mbështetje të Sali Berishës, i cili u mor zyrtarisht i pandehur.
Deputetët demokratë do të dakordësojnë qëndrimet që do të mbajë grupi i tyre në Kuvend, në një kohë ku sot pritet të jetë seancë e ngjeshur me punimet e saj.
Fillimisht pritet të ketë një interpelancë me kryeministrin Edi Rama dhe më pas Belinda Ballukun. Por po ashtu sot do të diskutohet edhe për një çështje që është bërë debat prej kohësh mes palëve politike, ajo për mandatin e Olta Xhaçkës.
RENDI I DITËS NË KUVEND
Në mbështetje të urdhrit nr. 59, datë 10.9.2024 të Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 2.9.2024. (Neni 44, pika 2 e Rregullores së Kuvendit)
2. Njoftime (Neni 44, pika 3 e Rregullores së Kuvendit)
3. Interpelancë urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë zotin Edi Rama, kërkuar nga deputeti Gazment Bardhi.
4. Interpelancë urgjente me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë zonjën Belinda Balluku, kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
5. Akt normativ nr. 2 datë 1.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.
6. Akt normativ nr. 3 datë 28.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024””, të ndryshuar.
7. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë””
8. Projektligj “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride””.
9. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.
10. Projektligj “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
11. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”
12. Projektligj “Për një shtesë në ligjin nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë””.
13. Projektvendim “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.
14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
/ZËRI