Politikë

Pse dështoi poli i tretë?! Qorri dhe Lapaj ndahen për oligarkët, kreu i ‘Shqipëria bëhet’: Gati të firmos në noter që nuk dua mandat deputeti

Adriatik Lapaj prej kohësh ka bërë ftesa publike për bashkimin e lëvizjeve të reja, në një pol, përpara zgjedhjeve parlamentare. Por ky bashkëpunim deri tani është refuzuar nga Arlind Qorri, i cili ka dyshime se një ditë avokati mund të shitet te Rama

E.K
Pse dështoi poli i tretë?! Qorri dhe Lapaj ndahen për
Arlind qorri, adriatik lapaj dhe endri shabani

TIRANË- Kur na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet parlamentare të pranverës 2025, lëvizjet e reja politike, duket se nuk kanë ndërmend që të bashkohen në një front të përbashkët, kundër qeverisë apo establishmentit të vjetër. Arlind Qorri, drejtues i Lëvizjes Bashkë, dhe ish-kandidat për Bashkinë e Tiranës, ka refuzuar ftesën e drejtuesit të ‘Shqipëria bëhet’, Adriatik Lapaj, i cili kërkoi një bashkim të gjerë të partive të vogla. Shkak për mungesën e bashkëpunimit mes Qorrit dhe Lapajt, duket se është bërë qasja që ata kanë ndaj oligarkëve dhe bizneseve, si dhe frika që ka kreu i "Bashkë" se avokati dhe të tijët, një ditë mund të shiten te Edi Rama.

Si nisën polemikat mes tyre

Fillimisht ishte Adriatik Lapaj, ai që bëri një ftesë publike për të gjitha lëvizjet e reja, që të jenë një trup i vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, me qëllim maksimalizimin e votave të elektoratit gri. Ftesa e tij përjashtonte çdo element të lidhur me PD-PS –LSI, ndërkohë që pozitivisht deri tani i janë përgjigjur vetëm përfaqësuesit e Nismës Thurje, Endri Shabani dhe Pano Soko.

Refuzimi i Arlind Qorrit

I ftuar në “Të pashoq”, Qorri tha se mes tij dhe Lapajt nuk ka pasur asnjë negociatë, ndërsa shprehu hapur mosbesimin se lëvizja “Shqipëria Bëhet” mund të shitet te qeveria.

“Kam qenë para dy tre muajsh në një debat me zotin Lapaj, që fillimisht më tha se besonte te unë si një njeri i ndershëm. Lëvizja Bashkë ka për qëllim që të godasë oligarkinë emër për emër. Dhe i thashë ju pse nuk e bëni një gjë të tillë, dhe më tha mua që unë nuk jam gjobvënës. Dmth një njeri që më tha se isha i ndershëm më akuzoi për gjobvënës. Bashkëpunimi duhet të jetë një gjë e ndershme, jo më ka çu nëna me la gojën. Mua s’më ka bërë askush një ftesë për bashkëpunim, nuk ka pasur asnjëherë negociata, nuk i kam as numrin e telefonit. As nuk kam komunikuar, dhe as ka tentuar askush. Këto janë fjalë për të dalë në media, dhe për të bërë interesantin. Nëse thonë se kanë folur me Arlind Qorrin po gënjejnë. Kush më garanton mua që këta njerëz nuk shiten nesër te Edi Rama”, u shpreh Qorri.

Përgjigja e Lapajt

Për Adriatik Lapajn, pretendimet e Qorrit nuk qëndrojnë, për shkak se ai mendon që oligarkët e vërtetë në Shqipëri janë politikanët, dhe biznesmenët thjesht ndryshojnë sipas qeverive në pushtet.

“Ne në jetën publike jemi për të dhënë një model ndryshe, për t'iu dhënë qytetarëve shpresë që e reja nuk është si e vjetra. Unë nuk jam këtu që të merrem personalisht me askënd, unë jam këtu që të përballem me Edi Ramën dhe Sali Berishën. Sa i takon oligarkëve unë mendoj se është çështje konceptuale, pasi unë mendoj se pronarët e vërtetë janë politikanët. Po ta mbani mend, para 15 vitesh ka qenë një politikan i rëndësishëm, Rezart Taçi, a keni dëgjuar ju sot më për të, pasi e lëshoi politika. Prandaj unë them që pronarët e vërtetë janë politikanët. Nëse doni emra mund ta bëjmë, ka një listë me 1 mijë veta, nga të cilët 100 janë dema të mëdhenj, se po the dy në 100 apo në 1 mijë ke bërë një seleksionim.

Çështja është që ne duhet të jemi seriozë, ne jemi këtu për të vendosur standarde politike. Unë në politikë kam hyrë që të merrem me parimet. Frikë nga njëri dhe tjetri nuk kam fare. Problemi është që të gjithë këta biznesmenë kanë një pronar që janë politikan, po ra një biznesmen 100 të tjerë ngrihen, kush ua dha këtyre koncensionet, i morën vetë këta apo e firmosën fap fap fap politikanët. Zoti Qorri pret që këta të dalin dhe ti vrasë ndërgjegja, ja ikën këta, i nxorëm jashtë vendit, do të vijnë të tjerë në vendin e tyre.

Unë vij dhe them këtu vizionin tim, zoti Qorri e mendon ndryshe, kjo nuk është shkak që unë mos të bashkëpunoj me të. Shqipëria është në një vdekje klinike. Unë Adriatik Lapaj, në emër të grupimit që përfaqësoj, disa herë kam bërë ftesë për subjektet e reja, duke i ftuar publikisht, për të krijuar një pol shtetbërës. Personalisht kam takuar zotin Soko, zotin Shabani, dhe persona të tretë që janë pranë zotit Qorri, ndoshta nuk ia kanë thënë. Unë kam shtrirë dorën, numrin tim e ka gjithë Shqipëria. Kjo është për të treguar pjekuri te qytetarët, për të dhënë që nuk jemi egoistë, a duan që të shkoj në noter dhe të them që nuk dua të bëhem deputet fare”, u shpreh Lapaj./ZËRI 

Poll

MOS HUMB