
TIRANË- Akti normativ për ligjin e mjekëve ka pësuar ndryshimet e fundit para se të kalojë për votim nesër në seancën plenare. Tashmë, me ndryshimet e bëra në ligj, mjekët të cilët kanë poste drejtuese si në spitale publike apo në departamentet e Universitetit të Mjekësisë mund të punojnë edhe në spitalet private. Por u ndalohet që të mbajnë poste drejtuese dhe të kenë klinikat e tyre private. Po ashtu, kanë detyrim që të plotësojnë turnin e tyre prej 8 orësh.
Mjekët e tjerë mund të punojnë në klinika apo spitale private, por jo më shumë se 30 % të orëve të punës që bëjnë në spitalet publike.
Një tjetër detaj është se mjekët që do të punojnë në spitalet që janë përfshirë në skemën e re, atë të autonomisë financiare, nuk lejohen që të punojnë në privat. Vizitat "private" me pacientët, sipas ligjit për autonominë, mund t'i kryejnë kundrejt pagesës në ambientet e spitalit publik ku punojnë. Sipas ligjit, pagesa ndahet më pas, një pjesë për mjekun dhe një pjesë i kalon spitalit. Aktualisht kjo "skemë" pritet që të aplikohet fillimisht në spitalin "Memorial" në Fier. Pasi të testohet atje, skema do të përfshijë edhe spitale të tjera në vend.
Për të monitoruar mjekët, Ministria e Shëndetësisë do të krijojë një regjistër elektronik me emrat e të gjithë mjekëve që janë të punësuar edhe në publik edhe në privat.
Por dhe përse u bënë ndryshimet në ligjin për mjekët?
E gjitha ndodhi pas skandalit të spitalit Onkologjik, ku mjekët i drejtonin pacientët e tyre në klinikat e tyre private. Atje, sipas dosjes, përdornin edhe ilaçet që i merrnin nga spitalet shtetërore. Disa prej mjekëve i mbështesin në parim nismat ligjore, që synojnë të vendosin rregulla për dypunësimin e mjekëve, të tjerë janë ankuar se nuk janë pyetur për ndryshimet./ZËRI