
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një takim në "Shtëpinë e Biznesit" ku ka prezantuar nismën më të re për bizneset. Në fjalën e tij, Rama ka paralajmëruar një shkurtim të konsiderueshëm të numrit të inspektoriateve, duke u ndalur edhe më tej në planin e masave. Si fillim, Rama theksoi se si risi do të jetë fakti që inspektorët në vizitën e tyre të një biznes, nuk do të mund që të vendosin gjobë, por vetëm këshillim. Më pas, nëse biznesi është në shkelje të përsëritur, kreu i qeverisë paralajmëroi gjoba të majme ndaj bizneseve që edhe në herën e dytë të inspektimit do të gjenden në shkelje.
"E mira është krijuar që asnjëherë të mos jetë mjaft, në mënyrë të natyrshme njëriu është krijuar që të keqen ta harrojë. E bëra këtë hyrje për të kujtuar nga sa larg kemi ardhur deri këtu dhe çfarë situatë kemi krijuar. Lufta ndaj korrupsionit është një luftë shtetbërje. Unë besoj që ju jeni dëshmitarë që sot jemi ku e ku se ku ishim. Por kemi nevojë që të shtyjmë me durim dhe me vendosmëëri. Për këtë ne kemi ndërmarrë nismën e fundit që patë në Kuvend për të adresuar në vijimsinë e të gjithë sektorëve që përbëjnë sistemin e organizmit të gjitha pikat e dobëta që kërkojnë adresim. Për bizneset do të vendosim një parim të ri, jo gjobë në vizitën e parë. Do ta bëjë të pamundur shfaqjen në befasi të ca inspektorëve tek dera dhe vendosjen e një gjobe. Nuk është biznesi për t'i shërbyer shtetit, por e kundërta në aspektin e kushteve. Prandaj duhet që të jetë shteti që të hedhë gjithmonë hapin e parë. Vizita e parë nuk ka gjobë, por vetëm regjistrim të problemit dhe këshillim. Vizita e dytë do të jetë në një afat të përcaktuar. Nuk mund të ketë shfaqje të befasishme. Problematika do të trajtohet nga institucioni dhe ministria përkatëse për të parë sesi qëndrojnë këshillimet. Ky do të jetë një moment ku revolucioni që kemi nisur kohë më parë do të hyjë në një fazë të re. Bizneset do të ndjehen të lehtësuara. Por edhe më i përgjegjshëm, sepse kur t'i vijë herën e dytë do të rikthehet një trup e monitoruar ndërkohë. Tjetra që ka një rëndësi më vete është që biznesi do të klasifikohet. Kjo është e rëndësishme. Bizneset që janë korrekte me shtetin, nuk do të kontrollohen. Do të jenë në një fashë "A" ku asnjë nuk do të shkojë t'u bëjë kontroll. Kjo sepse kanë treguar se i janë përmbajtur kontratës me shtetin në mënyrë korrekte. Të bëjmë që të ketë pak kontrolle, shumë këshillime, por ama goditjet të jenë katastrofike për biznesin që nuk futet në binarë. Pra numëri i gjobave do të ulet, por aty ku do të vihet gjoba do të jetë një hap pranë vdekjes së atij biznesi, në kuptimin që do të jenë shumë të mëdha. Frika ta ruajë vreshtin. Jemi në një fazë shumë pozitive, e kam një opinion të krijuar mbi fakte,"-tha Rama në takimin e sotëm./ZËRI