
KUKËS - Albert Halilaj është kryebashkiaku i ri i Kukësit. Ai u zgjodh në krye të bashkisë veriore të vendit me mbi 5 000 vota më shumë sesa rivali i tij, kandidati i BF, Emri Vata.
Fitorja e Halilajt në zgjedhjet në Kukës vjen pas skandalit seksual të Safet Gjicit, gjë që solli dorëheqjen dhe burgosjen e tij.
Pas fitores, socialistët duket se nuk kanë mundur dot të mbajnë emocionet e forta të fitores brenda tyre, duke shpërthyer në festë.
Socialistët e Kukësit e mbajtën në krah Albert Halilajn, teksa në sallë i pranishëm ishte dhe i dërguari i PS në Kukës, Pandeli Majko.
Në rrjet kanë shpërthyer memet nga më të ndryshmet. Genc Sejko ka ironizuar në lidhje me skandalin seksual të Gjicit. “Prisja fitoren e Foltores, paska triumfuar gojorja”, shkruan ai. Ndërsa më tej ka postuar edhe një foto të Berishës, teksa thotë se në Kukës ka nisur “ringritja”, duke e lidhur edhe këtë me skandalin e ish-kryebashkiakut. Ndërsa në një tjetër postim bën thirrje për lirim të Safet Gjicit.
Më thumbuese në ironinë e saj është faqja “Lolita”, teksa komenton zgjedhjet në Kukës. “Komisionerët janë shprehur se procesi i numërimit ka nisur me vonesë në Kukës, që ndihen të lodhur dhe s'kanë vënë gjë në gojë”, shkruan faqja.
Ndërsa në një tjetër postim shkruan: “Nesër e nxjerrim rezultatin e zgjedhjeve, se na u shqye goja...për gjumë. Natën!”. Ndërsa për deklaratat e Majkos, “Lolita” shprehet se deputetit socialist “i qenka shëruar goja më në fund”.


Ndërsa një tjetër faqe, "Keci" ka ironizuar kryedemokratin Sali Berisha.
Kazan Tv po ashtu nuk ka munguar me ironitë e saj. Faqja ka nxjerrë një foto të Lulzim Bashës, teksa ky i fundit thotë se “ringritja nis nga Kukësi”. “Kazani” shprehet se sikur do të niste ringritja e Kukësit./Zëri.ai/