
TIRANE- Edhe si në rastin e Dibrës, kur shkarkimi i Shukri Xhelilit pasoi me një fitore të PS, edhe në Kukës, pas 7 vitesh përsëritet historia.
Kandidati tashmë fitues i PS në Bashkinë e Kukësit, Albert Halilaj ka arritur që të fitojë bindshëm në raport me kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë Emri Vata. Diferenca mes të dyve llogaritet më shumë se 5 mijë vota, ndërkohë që socialistët kanë nisur festën.
Edhe pse me një numër më të ulët në pjesëmarrje në krahasim me zgjedhjet e 14 Majit, Halilaj nuk ka fituar vetëm ndaj Vatës, por edhe vetë Safet Gjicit. Nëse marrim në konsideratë rezultatin e 14 Majit, Gjici siguroi 11623 vota ose 49.7%, ndërsa Sinamati mori 9587 ose 41%.
Ndërkohë që rezultati për Halilajn është më shumë se 13 mijë vota, duke thyer kështu dhe rezultatin e Gjicit, ku gara ishte më e madhe dhe pjesëmarrja më e lartë.
Rezultati final pas numërimit të 74 qendrave të votimit:
Albert Halilaj- 13 026 vota
Emri Vata- 7429 vota
Qytetarët kuksianë duken të zhgënjyer në raport me kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë, dhe zgjedhjet e pjesshme vetëm sa kanë certifikuar fitoren e thellë të socialistëve në rang vendi.
E njëjta situatë ndodhi dhe në Rrogozhinë, ku zgjedhjet u përsëritën, për shkak se në 14 Maj diferenca mes kandidatëve ishte shumë e ngushtë dhe u vendos nga kutia e burgut. Mirëpo një muaj më vonë kandidati i PS-së fitoi me një diferencë rreth dy mijë votash në krahasim me rivalin e koalicionit Bashkë Fitojmë, edhe pse asgjë nuk kishte ndryshuar sa i takon emrave në garë.
Qytetarët e Kukësit dhe Rrogozhinës, teksa shohin tendencën pro PS në të gjitha bashkitë e vendit, kanë vendosur që të mbështesin tashmë edhe më shumë në numra kandidatët socialistë, me shpresën që qeveria qëndore do të japë më shumë investime për ta.
Çfarë ndodhi në Kukës
Në zgjedhjet e ditës së djeshme në Kukës u vu re një pjesëmarrje më e ulët e qytetarëve në raport me zgjedhjet e 14 Majit, ku u konfirmua Safet Gjici për një mandat të dytë përballë mjekut Admir Sinamati.
Procesi zgjedhor ishte i qetë, pavarësisht pretendimeve nga ana e opozitës për përfshirjen në fushatë dhe më pas në ditën e zgjedhjeve të administratës dhe drejtuesve të institucioneve të ndryshme.
Zgjedhjet e pjesshme në Kukës u mbajtën pas arrestimit të Safet Gjicit nën akuzën e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës.
Safet Gjici, i cili arriti të fitonte zgjedhjet e 14 Majit, me një diferencë 2 mijë votash në raport me Admir Sinamatin, u vu në prangat e policisë në 24 Qershor, rreth një javë nga publikimi i një videoje erotike, ku ai kryente marrëdhënie seksuale brenda në ambientet e zyrës së tij.
Prej asaj kohe ai ndodhet pas hekurave nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, pasi i kishte premtuar Alma Kaçit fitimin e një tenderi për rehabilitimin e qenve, në këmbim të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të. /Zëri.ai