Politikë

Protesta para Bashkisë së Tiranës, opozita sërish flakë me molotov! Blushi hipën sipër policëve

Edhe pse tubimi ishte paralajmëruar që në orën 10.00 të paradites, tubimi nisi një orë më vonë. 

k.m.
Protesta para Bashkisë së Tiranës, opozita sërish flakë
Pamje nga protesta

TIRANË- Sapo ka nisur fjalimin e tij Belind Këlliçi, tubimi para Bashkisë së Tiranës ka marrë përmasa të tjera. Qytetarët e mbledhur para Bashkisë së Tiranës kanë qëlluar me kokteil molotov godinën duke shkaktuar flakë. Në drejtim të Bashkisë u hodhën disa here molotov ndërsa nuk munguan as përplasjet mes protestuesve dhe policisë. Menjëherë ndërhynë efektivët e Policisë së Shtetit që kësaj here i kishin marrë masat për të marrë fikëse zjarri me vete.

Në një moment protesta agravoi, teksa protetsuesit tentuan të çajnë gardhin e Policisë. Teksa situata ishte e tensionuar në një moment, anëtëri i Këshillit Bashkiak nga radhët e Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u ngjit sipër policëve dhe valviti flamurin kombëtar. Organizatorët njoftuan protestën e radhës, e cila ndryshe nga herët e tjera do të mbahet pasdite, në orën 16:00. Kjo me shpresën se numri i qytetarëve do të jetë më i lartë në oraret e paditeve.

Ndërkohë në fund të fjalës së tij para protestuesve, ish-kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi paralajmëroi se në ditët në vijim do të nxjerrë prova që sipas tij lidhin Bashkinë e Tiranës me vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës.

Në lidhje me protestën reagoi dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ai tha se protesta e sotme, ashtu si dhe në herët e tjera ëhstë për "hallin" e kryedemokratit Sali berisha. 

“Besoj që protestuesit sot e dhanë vetë përgjigjen e arsyes së protestës kur gjatë protestës thirrjet ishin “Lironi liderin e opozitës”, kështu që në këtë aspekt besoj e kuptoni që këta nuk kanë hallin që i referoheni ju, por kanë hallin e vet”, tha Balla.

Kjo është protesta e 4 e organizuar nga opozita para Bashkisë. Edhe pse ishte paralajmëruar që në orën 10.00 të paradites, tubimi nisi një orë më vonë. Lejen për organizimin e protestës e ka marrë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, me përfaqësuese Adriana Kalanë, por edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak të dy forcave opozitare. Veçse kësaj here, protesta është menduar të zgjasë deri në orën 20:00.

Sot dy persona të shpallur në kërkim nga policia në lidhje me protestën së opozitës javën e kaluar para bashkisë Tiranë, u vendosën në pranga nga efektivët, pasi akuzoheshin për hedhjen e molotovëve. Ndonëse ishin në kërkim, ata morën pjesë sërish në protestën e sotme, por iu vunë prangat. 

NJOFTIMI I POLICISË:

Tiranë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, sot më datë 26.04.2024, në orën 08:00, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestave të datave 11.04.2024 dhe 19.04.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasit: - A. M., 36 vjeç, dhe L. N., 40 vjeç, të dy banues në Borizanë, Krujë, për veprat penale "Goditjet për shkak të detyrës", "Prishja e qetësisë publike", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse", dhe "Shkatërrimi i pronës me zjarr", kryer në bashkëpunim. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë protestave të zhvilluara më datë 11.04.2024 dhe 19.04.2024, kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë, kanë hedhur lëndë piroteknike e molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Bashkisë së Tiranës. Materialet i kaluan Prokurorisë.

Edhe në protestën e mëparshme opozita përdori bomba molotov si dhe pati edhe përplasje fizike me efektivët e policisë, dhunë kjo e cila u dënua fort nga ambasadat e huaja në vendin tonë./ZËRI

Poll

MOS HUMB