Politikë

"Nesër protestë/ Berisha kërkon 'partitë e reja': Të bashkohemi! Primaret? Do bëhen! SPAK-un e çmontojmë kur të vijmë në pushtet

Në takimin e tij, Berisha u fokusua tek qeverisja e kryeministrit, duke përsëritur edhe njëherë akuzat që ka adresuar gjithë këto kohë ndaj kreut të qeverisë.

k.m.
"Nesër protestë/ Berisha kërkon 'partitë e
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në takimin me aleatët e Federatës së Bashkuar kërkoi edhe njëherë bashkimin e të gjitha forcave opozitare kundër maxhorancës së kryeministrit Edi Rama. Në takimin e tij, Berisha u fokusua tek qeverisja e kryeministrit, duke përsëritur edhe njëherë akuzat që ka adresuar gjithë këto kohë ndaj kreut të qeverisë. Ndaj edhe njëherë, zyrtarisht, u bëri ftesë të gjitha forcave politike që të bëhen bashkë në një front të vetëm. Në fjalën e tij, Berisha ceku edhe protestën e nesërme të opozitës, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve. 

"Bashkimi i të gjithë potencialeve opozitare kundër Edi Ramës, kundër Rilindjes që është sot sinonim i krimit, sinonim i një regjimi që në fjalorin politik të të gjitha kohërave, ka një term; regjimit të kakistokracisë’ që përmbledh të gjitha të këqijat që një pushtet mund ti bëjë një vendi. Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj edhe unë ftoj të gjithë forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë me njëri tjetrin, të bashkohen në këtë front për tu përballe me sukses me këtë të keqe që kemi përpara. Sepse ky bashkim ka rëndësi vendimtar. Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë, për PD-në. Ju e patë, socialistë guximtarë që nuk e ndjejnë më veten se partia është e tyre, po flasin siç mund të flisnim ne, çka do të thotë se ata janë më afër me ne se me Edi Ramën. Se ata nuk kanë qëndruar aty për t’u vjedhur në mënyrën më të papërmbajtur. Ftojmë të rinjtë të bashkohen me ne. Edi Rama, ti që je ulur në fron, ushqehesh me ëndrrat tona. Ëndrrën shqiptare ua përlau ky. Ikin këta, as shtëpi nuk blejnë, as punë nuk gjejnë, as gjë prej gjëje. E tundën Beogradin të rinjtë e Serbisë dhe ky i censuron. E tundën, e jashtëzakonshme. Ndaj dhe tiranët përmbysën. Kështu që ftoj të gjithë shqiptarët nesër në Tiranë,"-tha Berisha.

Por nuk zbuloi asgjë nga detajet e protestës! Për kryedemokratin, e mjaftueshme është data dhe ora, ndërsa të dhënat e tjera nuk duhet të zbulohen para "armikut". 

"Kjo nuk është protesta e parë. Kam qenë edhe në të tjera, por kjo është e veçantë. Kjo është një protestë tjetër, është një protestë në shesh. Ato ishin protesta me veprime. Skenari nesër do shpallet plotësisht se nuk duhet që armiku të dijë të gjitha taktikat tona,"-tha Berisha. 

Primaret

Pas takimit me aleatët, Berisha mbajti dhe një konferencë për mediat ku edhe diskutoi disa çështje. Sa i përket Primareve, duke iu përgjigjur kritikave të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi se procesi ishte i vonuar; Berisha tha procesi është detyrim. Edhe pse e pranoi se koha për të votuar është e ngushtë, thekson se të gjithë demokratët e kanë detyrim që të zbatojnë Statutin.

"Në shqetësimin e shprehur nga drejtues të PD, ka një të vërtetë, koha është e ngushtë, por kjo nuk i përjashton se ai është një vendim statutor, nuk është vendim i kryetarit. Kryetari është i detyruar të zbatojë statutin. Kjo erdhi nga vota e diasporës. Sot kemi një përqendrim shumë të madh aty.  Ju e patë besoj, këtyre iu janë fikur motorët. Nuk i presin më. Ku janë takimet e tyre? Një me katër në krahasim me ne. Nuk po i pret Durrësi këta. Socialistët e Durrësit e bënë për ujë të ftohtë padrinon. Na morët fytyrën, nuk mund të dalim me ju, nuk na pranojnë qytetarët. Po si mund t’i pranojnë kur këta kanë vjedhur në mënyrë të papërmbajtur. Si mund t’i pranojnë kur 5 vite pas tërmetit, as çereku i qytetarëve nuk kanë marrë zgjidhje. Ua kanë hequr edhe qiranë që paguanin. Nuk duan të na shohin me sy qytetarët, thonë ata. Të votuan në vitin 2021, por nuk të votojnë më. Kjo është e vërteta. Në diasporë nuk shkelin dot më. Dërgo, dërgo nga Tirana, por në fund të fundit ja këto janë. Do shkonte këtu, do shkonte aty, nuk shkoi kurrkund. Zotohet se do bëhet kongresi botëror i ligjit dhe thotë se është ngjarje e madhe shumë. Atë kongres të tregoj se sa ngjarje do jetë... Pra, edhe njëherë u falënderoj dhe u ftoj nesër në protestë ta ndiqni dhe siç e shihni, kampi tjetër po shkon drejt shkërmoqjes. Socialistët çdo ditë e më shumë po e kuptojnë se nuk kanë parti dhe nuk i lidh asgjë me Edi Ramën. Rilindja është një sekt armiqësor për të gjithë shqiptarët,"-tha Berisha.

SPAK

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha premtoi se do të shkrijë SPAK nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 11 Majit.

“Ne me Komisionin e Venecias do i kthejmë drejtësisë shqiptare pavarësinë dhe do çmontojmë organizatën kriminale SKAPI i partisë. Ju e patë me dokumenta se çfarë dokumentash skandaloze kishte mercenari i SKAP për apartamentet e tij. Kur unë i deklaroja shqiptarëve se nuk ka njeri që me një rrogë të blejë tre apartamente, me një rrogë kurrë, ky me tre apartamenti, para ryshfeti. S’mund të them para droge. Por nga i siguruan paratë ata që ia dhanë? Janë sigurisht para të pista. Para gjobe. E patë me çfarë çmimesh i kishte apartamentet? Qesharake! Pastaj thotë se banon te vjehrri, por faktikisht ai është me 4 shtëpi. 1 me qira dhe 3 në pronësi. Kush e beson këtë? Pse shtëpia e tij kushton 300 e ca euro metri, kurse ngjitur kushton 700 euro? Nuk diskutohet! Plus unë kam faktuar se dosjet e krimit janë palë palë. Këta i vjelin, i mjelin, marrin… Siç është rasti i Ymer Lalës, e shpëtoi nga akuza me 1 milion. Ymer Lala sipas dëshmitarit ka vra, ky e shpëtoi. Do ketë komision të së Vërtetës dhe shqiptarët do marrin vesh të gjitha lidhjet e politikës me krimin,”-tha kryedemokrati.

Vota e diasporës

Ndërkohë që 13 shkurti është afër, numri një i demokratëve tha edhe një fjalë të fundit. Berisha është dakord që të votojë për të paguar shteti për postën e votës së diasporës. Por kërkon me ngulm që të draft të përfshihen edhe 150 mijë emigrantë që nuk kanë dokumente shqiptare, por kërkojnë që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

"Ne këtë moment e lidhim me, në qoftë se qeveria nuk do njohë dokumentet e identitetit të qytetarëve shqiptarë në vendet e huaja ku janë prodhuar, ne nuk votojmë amendamentet që kërkon qeveria. Pikë. Nuk i votojmë. Se ka kërkuar jo të lëvizin afatet, jo të bëhet kjo e ajo. Çfarë po kërkojmë ne? Që sa më shumë shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese. Këta po kërkojnë që sa më pak shqiptarë të ushtrojnë të drejtën kushtetuese. Po qe se votojnë njohjen e dokumenteve, ne do votojmë kërkesën e KQZ për lëvizje të afateve. Ne nuk shkelim Kushtetutën, përkundrazi. Pse po e kushtëzojmë ne? Që t’u mundësohet e drejta kushtetuese atyre. Këta nuk e pranojnë duke shkelur të drejtën kushtetuese. Nuk e shkelim kurrsesi të drejtën kushtetuese ne. Po është evidente. Kushtetuta nuk thotë se është shtetas shqiptar ai që ka pasaportë shqiptare. Jo mo. Mund të kesh pasaportë greke, italiane dhe mund të jesh shtetas shqiptar. Ata po e bëjnë këtë. Ne në kundërpërgjigje nuk e votojmë këtë me datë 13. Prandaj kanë kohë gjer me datë 13 të mendojnë si të duan. Nuk është e vërtetë. Ky ka qenë kushti ynë. Këtë amendament e votojmë ne. Nuk votojmë tjetrin ne, lëvizjen e afateve. Këtë që nesër, se është propozimi ynë, që emigrantët të mos paguajnë asgjë. Pse mos të paguajnë asgjë, sepse qytetarët në Shqipëri nuk paguajnë asgjë, thjeshtë për efekt barazie. Kjo rrjedh nga ky vendim. Këta kanë kërkuar lëvizje afatesh burokratike, këto nuk i votojmë ne, nëse ata nuk pranojnë të votojnë me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë, emigrantët shqiptarë. Nuk mund të ngrihem kundër amendamentit që kam propozuar unë. Ai është amendament i propozuar nga ne. Nuk mund të mendohet që ne të votojmë kundër tij. Çfarë kanë propozuar ata, nuk votohet nga ne,"-tha ai.

Por siç kryedemokrati që nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij, duket se edhe socialistët nuk janë gati për një marrëveshje për këtë pikë./ZËRI

Poll

MOS HUMB