
HIMARË-Sot është dita e fundit e fushatës, ndërsa nesër dy kandidatët për kryebashkiak në Himarë, Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, të udhëhequr nga Sali Berisha do i lënë vendin heshtjes zgjedhore. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka dërguar në Himarë materialet zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme. Materialet zgjedhore do të shpërndahen drejt 36 qendrave të votimit gjatë orëve të para të ditës së dielë, në mënyrë që të gjithë qendrat e votimit të jenë gati për qytetarët për të ushtruar të drejtën e votës në datën 4 gusht 2024.
'Në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor, baza materiale për 36 qendrat e votimit u dërgua ditën e sotme nga KQZ Shqiperi në bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme. Së bashku me kutitë e votimit, fletët e votimit dhe dokumentacionin e punës për komisionet zgjedhore, u dërguan edhe pajisjet e identifikimit elektronik (PEI), kamerat monitoruese që vendosen në qendrat e votimit, kamerat regjistruese/monitoruese që vendosen në tavolinat e numërimit të votive (VNV). KQZ ka menduar edhe për zgjedhësit që nuk shikojnë, duke siguruar shabllonin e fletës së votimit me alfabetin Braille në çdo qendër votimi", shkruan KQZ në një postim në rrjetet sociale.
Ndërkohë një ditë para heshtjes zgjedhore kandidatët kanë dhënë mesazhet e fundit për qytetarët. Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo u shpreh nga Himara se 4 gushti është një mundësi për bashkim. Në një mesazh për banorët të ndarë edhe në Facebook, Tavo theksoi se, “ne do punojmë së bashku në shërbim të Himarës”. Ai tha se, një e ardhme më e mirë, më e paqtë, më e bashkuar dhe më e begatë, i pret përpara për Himarën.
Nga ana tjetër, kundërshtari i tij, Petro Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” zhvilloi takimin e fundit elektoral në Qeparo. Gjikuria i falënderoi banorët për pjesëmarrjen në këtë takim, ashtu si në të gjitha takimet gjatë këtyre ditëve.
“Përveç problemeve me infrastrukturën dhe probleme të tjera të shumta me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre, ashtu si në çdo fshat të Bashkisë, më folën edhe për presionin që kanë nga pushteti qëndror. Me votën e tyre të kthyer në mandat, që ditën e nesërme vëmendja do të jetë tek qytetarët e Bashkisë Himarë dhe në zgjidhjen e nevojave të tyre. Bashkia Himarë nuk ka më kohë për të humbur! Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin e treguar”, theksoi kandidati Gjikuria.
Të dy kandidatët i përkasin minoritetit grek dhe përballen pasi një tjetër minoritar grek Fredi Beleri edhe pse fitoi zgjedhjet nuk u bë kryetar i bashkisë së Himarës për shkak se u arrestua për vjedhje votash pak ditë para zgjedhjeve të majit. Tashmë, Beleri do të ndjekë nga qelia e tij zhvillimet, duke bërë "tifo" për Gjikurinë, i cili është zotuar se nëse fiton do të zbatojë programin e të dënuarit./ZËRI