
VLORË- Një tjetër denoncim është bërë për institucionin Ujësjellës Kanalizime në Vlorë (UKV). Kreu i këshilltarëve të Demokratëve Euroatlantikë në bashkinë Vlorë, Gjergji Nika u shpreh në mbledhjen e këshillit bashkiak, se Ujësjellës Kanalizimet Vlorë, faturat e muajve qershor dhe korrik i nxjerr me vonesë dhe më pas aplikon kamatëvonesa.
Sipas tij, fatura e muajit qershor për 61 mijë abonentë ka dalë në 25 qershor dhe në 28 qershor ka filluar të aplikojë kamatëvonësën. Përsëri, shtoi ai, në muajin korik fatura ka dalë në datën 26 dhe po aplikohet kamatëvonesa.
“Ujësjellës Kanalizimet ka gjetur një mënyrë tjetër për të rritur të ardhurat e veta nëpërmjet gjobave. Në muajin qershor, fatura e muajit qershor për 61 mijë abonent ka dalë në 25 qershor dhe në 28 qershor 2 ditë më pas ka filluar të aplikojë kamatvonësën. Përsëri në muajin korik fatura ka dalë në datën 26 dhe po aplikohet kamatvonesa. Si rregull ligjor, sipas marrëveshjes që ka operatori që kryen shërbimet midis ujësjellësit dhe bashkisë, fatura nuk duhet të vonohet më shumë se data 10 e muajit. Sepse 61 mijë abonentë e kanë të pamundur të paguajnë për dy ditë. Kështu që imagjinoni kamatvonesën në të ardhura 150 milionë apo 200 milionë lekë të reja në muaj, është kamatvonesa shumë e madhe dhe goditen sërish qytetarët,”-tha Nika.
Ndërkohë, më herët edhe zëvendësministrja Belinda Balluku, është shprehur se ky institucion po abuzon në kurriz të qytetarëve. Ajo u shpreh se po përgatit dosjen me shkeljet e gjetura në këtë ndërmarrje, dhe do ta dorëzojë po vetë në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në paralajmërimin e saj ajo preku skemën e vjetërsisë në punë, ku punonjës të këtij institucioni kanë përfituar. Ajo iu referua një situate, ku një numër shumë i madh i punonjësve të Ujësjellësit në Vlorë kanë fituar në gjykatë shifra shumë të mëdha pasi kanë pretenduar se nuk u janë paguar 2% në vit për vjetërsinë në punë, kompensimin ushqimor apo edhe përqindje për grupin e diplomës.
/ZËRI