
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ndarë shifrat që tregojnë "boom" të turizmit në vend, me shifrat ndjeshëm më të larta se një vit më parë. Duke njoftuar se edhe vetë ka nisur pushimet në Dhërmi, Rama tha se nga aeroporti "Nënë Teresa" kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë. Po ashtu, ai theksoi se të dhënat tregojnë rritje të turistëve edhe nga Morina, duke shtuar se Shqipëria është kthyer në kryefjalë për turizmin. Por kjo nuk do të thotë që nuk i ka vërejtur edhe problematikat! Madje paralajmëroi se do të adresohen shumë shpejt për t'u implementuar më pas vitin që vjen për një sezon edhe më të mirë.
Edi Rama: Përshëndetje, ca ditë pushimi si gjithmonë këtu në Dhërmin magjik. Mbrëmë mora të dhënat e hyrjeve në Shqipëri vetëm nga TIA dhe kufiri i Morinës. Nga aeroporti kanë hyrë 1 milionë 200 mijë pasagjerë. Për shifrat e aeroportit nuk më thonë dot gjë as gojët me qime të atyrë që nuk pushojnë: U zbras Shqipëria nga shqiptarët, tani edhe nga turistët. Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit, i cili historikisht ka qenë i pari. Edhe shifrat në Morinë, tregojnë se kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë se vjet. Edhe ajo teoria keqdashëse për shqiptarët e Kosovës që e paskën braktisur Shqipërinë është një zero me xhufka. Nga ana tjetër janë shifrat e të ardhurave nga doganat dhe tatimet. Ka një rritje konsumatorësh krahasuar me vjet. Mëgjithatë shyqyry që i kemi si ato hudhrat që e mbrojnë vendin nga syri i keq. Askush të mos mendojë se nuk po mbajmë shënime për të nxjerrë mësim edhe nga ky sezon që është shumë i mbarë por ka shumë gabime për t'u adresuar që në sezonin e ardhshëm të kemi edhe më shumë mbarësi dhe cilësi. Maja e Shqipërisë 2030 është gjithmonë më afër, por për ta arritur është një sfidë që duhet ta përballim me shumë mund dhe vullnet, por edhe me një bindje absolute që Shqipëria do të jetë kampionia absolute e turizmit në vendin tonë. Pushime të mbara!
Kjo nuk është hera e parë që Rama bën kritika për disa politika të ndjekura për turizmin në Shqipëri. Madje, pas kritikave të tij publike, ka pasur refektime edhe në uljen e çmimeve në jug të vendit, kryesisht në Vlorë./ZËRI